Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, po merr pjesë në Konferencën “Nga Selaniku në Zagreb”. Në konferencë po marrin pjesë kryediplomatët e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa Konjufca i ka rënë të takohet për herë të parë me ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq.
Konjufca ka njoftuar se në fjalimin e tij ka theksuar se Kosova do të bëjë reformat e nevojshme për rrugën e integrimit evropian.
Po ashtu Konjufca thotë se disa nga qëllimet e Qeverisë së re të Kosovës janë fqinjësia e mirë dhe dialogu me Serbinë.
“Kam siguruar gjithashtu se zhvillimi ekonomik dhe social, fqinjësia e mirë dhe dialogu me Serbinë janë qëllimet afatgjatë të qeverisë së re për të kontribuar dhe siguruar paqen rajonale”, ka shkruar Konjufca.
Shkrimi i plotë i Konjufcës:
Si Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, po marr pjesë në konferencën e nivelit të lartë lidhur me perspektivën Evropiane të Ballkanit Perëndimor “Nga Selaniku në Zagreb”, e cila po mbahet në Selanik me pjesëmarrjen e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor në prani të Presidences kroate të BE-së, Shërbimit të Jashtëm të BE dhe përfaqësuesve të Komisionit Evropian.
Në fjalimin e mbajtur kam theksuar përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në rrugën drejt integrimeve evropiane si dhe përkushtimin për të vazhduar me reformat në rrugën e integrimit evropian.
Ndër tjera kam kërkuar vendimin pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës në mënyre që mos të izolohet rinia nga perspektiva e saj.
Kam siguruar gjithashtu se zhvillimi ekonomik dhe social, fqinjësia e mirë dhe dialogu me Serbinë janë qëllimet afatgjatë të qeverisë së re për të kontribuar dhe siguruar paqen rajonale.
Në kuptim të zhvillimeve të reja në rrugën evropiane kam përshëndetur metodologjinë e re të aprovuar nga Komisioni si dhe kam shprehur bindjen pozitive për samitin në mes të vendeve të BE-së dhe atyre të Ballkani Perëndimor në Zagreb gjatë majit 2020.
Gjatë qëndrimit në Selanik ju jam përgjigjur edhe interesimit të mediave greke për të shprehur qëndrimet e Republikës së Kosovës dhe qeverisë së re lidhur me integrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe qëndrimet tona sa i përket rajonit.