Miomat (fibromat) e mitrës

E publikuar: 21/02/2020 13:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Miomat apo fibromat e mitrës janë një lloj tumoresh që zakonisht paraqiten në periudhën reproduktive të gruas.
Madhësia e tyre mund të jetë e ndryshme, duke filluar nga përmasat shumë të vogla e deri te dimensionet e kokës së një fëmije. Poashtu edhe numri i tyre mund të jetë nga një deri në disa miome në të njejtën kohë. Lokalizohen në vende të ndryshme në mitër dhe në bazë të kësaj edhe marrin emra të ndryshëm si fibroma submukozë, intramuralë apo subserozë. Disa nga këto tumore rriten shpejt, disa rriten ngadalë, kurse disa ngelin në të njejtën madhësi.


Miomat apo fibromat janë tumore që paraqiten shumë shpesh te gratë, por ndonjëherë nuk shkaktojnë kurrfarë simptomesh, andaj ato shpesh zbulohen gjatë ekzaminimit të rastësishëm në ultrazë. Por, në disa raste fibromat paraqesin edhe pengesa në shëndetin e gruas siҫ janë: anemitë apo zvogëlimi i rruzave të kuqe të gjakut, gjakderdhjet e shtuara menstruale, gjakderdhjet në mes dy cikleve, cikli menstrual përcillet me dhimbje dhe zgjatë më shumë se një javë, dhimbje apo presion në abdomen, urinim të shpeshtë apo vështirësi në urinim, jashtëqitje të vështirësuar, si dhe dhimbje të kurrizit apo edhe të këmbëve. Andaj gratë edhe kërkojnë ndihmë mjekësore, varësisht nga shkalla e këtyre pengesave.
Shkaktarët e vërtetë të fibromave apo miomave nuk dihen, por besohet se këto lloj tumoresh paraqiten si pasojë e prodhimit të shtuar të disa hormoneve në fazën riprodhuese të gruas. Andaj, me zvogëlimin e këtyre hormoneve në menopauzë, ndërpritet edhe rritja e këtyre tumoreve. Besohet se edhe gjenetika luan rol në paraqitjen e tyre. Pra, rreziku për zhvillimin e tyre është më i madh nëse edhe nëna apo motrat tuaja kanë mioma. Poashtu mbipesha, mungesa e vitaminës D apo konsumimi i alkoolit ndërlidhen me paraqitjen e këtyre lloj tumoreve.
Përgjithësisht fibromat nuk shkaktojnë pengesa të mëdha te gratë, përveҫ kur përcillen me anemi të theksuar si pasojë e gjakderdhjes së tepërt. E kjo mund të ҫon në lodhje apo rraskapitje të organizmit, me ҫ’rast ndonjëherë nevojitet edhe transfuzion i gjakut.
Zakonisht fibromat (miomat) e mitrës nuk pengojnë që gruaja të ngelë shtatzanë, përveҫ kur lokalizohen në afërsi të kavitetit të mitrës ku duhet të implantohen embrionet. Në raste të tilla këto tumore mund të jenë shkaktarë të infertilitetit, të aborteve spontane, të lindjeve të parakohshme apo komplikimeve tjera në shtatzani.
Prevenca e paraqitjes së fibromave nuk është arritur deri më sot në mjekësi. Eventualisht mund të pengohet për një kohë rritja e tyre me përdorimin e disa medikamenteve specifike të cilat tek gruaja e provokojnë një gjendje të ngjashme me menopauzën. Përndryshe këto lloj tumoresh mund të largohen vetëm me operacion, e poҫese shkaktojnë probleme serioze në shëndetin e gruas, atëherë preferohet edhe largimi total i mitrës apo histerektomia.
Kurse sa i përket prognozës së tyre, këto lloj tumoresh pothuajse kurrë nuk shëndrrohen në kancer.

Dr Gjina Zeqiri MSc, PhD
Gjinekologe – Obstetre
Specialiste për infertilitet dhe IVF