Me emërimin si kryeministër i Kosovës, Albin Kurti ka ndryshuar dhe është shpërfytyruar tërësisht. Kështu kanë deklaruar ish-partiakët e Kurtit nga PSD-ja. Nga partia që udhëhiqet prej Dardan Molliqaj thonë për Gazetën Express se ajo që është proklamuar si ndryshim i madh, nuk është asgjë më shumë se sa ndryshim i figurave menaxhuese.
Në të njëjtën ditë u pa duke u përkulur para varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova, e parë orë më vonë edhe duke i shtrënguar duart me presidentin e vendit Hashim Thaçin.
Me të dy këta, në më shumë se 20 vite karrierë Albin Kurti nuk ka pasur raporte të mira. Madje, me ish-presidentin Rugova inatet i ka mbajtur edhe pas vdekjes së tij, duke mos i shkuar për nderime te varri.
Gjërat ndryshuan kur Kurti themeloi qeverinë e re në koalicion me partinë e krijuar nga ish-presidenti.
Pak ditë më vonë, ai u pa për herë të parë në Velani duke bërë nderime para varrit të Rugovës, në shënimin e 12 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Ani pse nuk ka shumë ditë që e ka marrë udhëheqjen e qeverisë, për Albin Kurtin po thuhet se ka ndryshuar rrënjësisht.
Kështu vlerësojnë edhe ish-partiakët e tij, Partia Socialdemokrate që udhëhiqet nga Dardan Molliqaj.
Nga PSD-ja i kanë thënë Gazetës Express se përkulja para varrit të Rugovës dhe shtrëngimi i dorës me Thaçin janë simbolika që paralajmërojnë një formë të re të Albin Kurtit. Kjo sipas tyre është formë e përkuljes dhe jo e pranimit të realitet.
“Përkulja në varrin e Ibrahim Rugovës e shtrëngimi i dorës së Hashim Thaçit janë simbolika që paralajmërojnë një formë të re të Kurtit që është më tepër ajo e përkuljes dhe e pranimit te realitetit, sesa e ndryshimeve të vërteta shoqërore. Por nën një petk të ri”, ka deklaruar për Gazetën Express, zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi.
Ajo shton se nuk është problematike pse Kurti i ka bërë këto veprime, por, që shton se problemi është te data kur ka ndodhur ato.
“Në vetvete nuk është problematike pse vizitohet presidenti i parë i Kosovës apo i zgjatet dora presidentit të tanishëm. Problemi është tek data e këtyre gjesteve”, shton ajo.
Sipas PSD-së, Kurti ka ndryshuar negativisht dhe është shpërfytyruar tërësisht.
“Jo vetëm që ka ndryshuar negativisht, por është shpërfytyruar tërësisht. Këto raste, e të tjera që kanë ndodhur e priten të ndodhin, tregojnë qartazi që ajo që është proklamuar si “ndryshimi i madh” nuk është asgjë më shumë sesa ndryshim i figurave që mund të menaxhojnë pak më mirë korrupsionin por nuk do të kontribuojnë në asnjë fushë për transformimin e sistemit ekonomik e politikë bërjes”, ka deklaruar Kuçi.
Vetëvendosje ishte ndarë në vitin 2018-të, derisa 12 deputetë kishin krijuar fillimisht një grup parlamentar të pavarur, e pastaj ishte formuar edhe Partia Socialdemokrate. Kryetar i parë i partisë ishte Shpend Ahmeti.
PSD-ja që në zgjedhjet e fundit kandidoi në koalicion me AAK-në nuk ka arritur që të sigurojë ndonjë ulëse në Kuvend të Kosovës. Pas zgjedhjeve të gjashtë tetorit, kryetar i ri i partisë është zgjedhur Dardan Molliqaj.