Orientimi politik, identitar, kulturor dhe edukativ pro perëndimor dhe euroatlantik i shqiptarëve, gjegjësisht rrugëtimi i tyre gjeopolitik dhe gjeostrategjik në gjirin e shteteve dhe popujve më të përparuar, civilizuar dhe emancipuar të kontinentit, s’guxon të vihet kurrë në pikëpyetje, sepse është çështje ekzistenciale.
Është orientim dhe rrugëtim i natyrshëm njerëzor, kombëtar, identitar, shtetëror, gjeopolitik, gjeostrategjik, filozofik, historik, etimologjik, kulturor dhe edukativ i njërit prej popujve më të vjetër të Evropës dhe botës, në gjirin e shteteve më të zhvilluara dhe popujve më të përparuar, civilizuar dhe emancipuar të kontinentit.
Evropa ekonomikisht është kontinenti më i zhvilluar i globit, e edhe më saktësisht ajo historikisht dhe tradicionalisht është lokomotivë e botës, si në kuptimin pozitiv, ashtu edhe në atë negativ.
Mirëpo, EU është njëkohësisht edhe një konstrukti politik tejet i ndjeshëm, brishtë dhe kundërthënës, prandaj për shqiptarët mardhëniet e ngushta me USA janë një garant i pazëvendësueshëm i sigurisë nga rreziqet e shumëllojshme për ekzistencën e tyre.
Pavarësisht padrejtësive historike që ia shkaktuan disa herë radhazi popullit shqiptar superfuqitë politike, ushtarake dhe ekonomike të kohës, ai s’ka tjetër alternativë, sepse është pjesë e pandashme e këtij kontinenti, me të cilin e lidh gjithçka e rëndësishme, vlefshme dhe paevitueshme.
Këto padrejtësi iu shkaktuan popullit tonë, pikërisht kur ai s’kishte as gjasa teorike për t’i mbrojtur interesat njerëzore dhe kombëtare si duhet, për shkak të plogështisë, prapambeturisë, përçarjes, varfërisë, mjerimit, analfabetizmit dhe krizës identitare që rezultoi nga robëria shekullore.
Mirëpo popullit tonë iu hakmor para se gjithash nënçmimi që nomenklaturat politike dhe kulturore vazale vendore, ia bënë unitetit kombëtar dhe filozofisë politike shtet ndërtuese.
Pamundësia për t’i mbrojtur si duhet interesat njerëzore dhe nacionale lidhet sidomos ngushtë me pamundësinë për ta krijuar një shtet të fuqishëm funksional dhe unitar për të gjithë shqiptarët e këtyre trevave, në të cilat ata janë populli i vetëm autokton.
Kjo pamundësi rezultoi fillimisht nga decimimi, lodhja dhe molisja prej luftërave 300 vjeçare me romaket.
Më vonë kjo pamundësi u shndërrua në mallkim, sidomos për shkak të mentalitetit përçarës, vazal, farefisnor dhe bajraktar të keqsunduesve shqipfolës, të cilët ia lehtësuan dukshëm ardhcakëve sllavë nga Karpatët depërtimin, shtrirjën dhe dominimin në këto treva në shekullin e shtatë të erës sonë, pa e organizuar pothuajse asnjë rezistencë ushtarake masive dhe frontale të popullit autokton.
Prandaj nuk është e njohur asnjë luftë frontale iliro-sllave nga ajo kohë.
Fakti që Gjergj Kastrioti më vështirë e kishte për t’i bashkuar Princat e Principatave Shqiptare, se sa për t’i rezistuar pushtuesve të pamëshirshëm osman, është një indikator simptomatik që e përshkruan më së miri sëmundjen mendore prej të cilës vuajnë tradicionalisht udhëheqësit politik të këtij populli, të cilët dorën në zemër burojnë nga gjiri i tij.
Kjo sëmundje mendore mund të diagnostikohet lirisht si kompleks i inferioritetit, sepse shqiptari për të mbetur i pari në katund e refuzon jo vetëm qytetërimin për vetveten, por sidomos për popullin katundar të cilin e mbanë si lodër në shuplakë të dorës, prandaj sa herë që ia prish tymin e duhanit, e përplas për muri si gurin .
Për mua nuk është çudi që shumë Princa shqiptarë në vend se t’i bashkangjiten Gjergj Kastriotit në luftë kundër pushtuesit të egër aziatik dhe mongol, ata e bënë të kundërtën, sepse vepruan sipas motos “mëshirë për qyqarin dhe dënim për trimin”.
Këtë e bëri madje edhe nipi i tij Hamzë Kastrioti, prandaj nuk është çudi që shteti i krijuar me shume gjakderdhje mund dhe sakrificë pushoi së ekzistuari vetëm tre vjet pas vdekjes së Gjergjit të Madh.
Mirëpo a u ndihmoi shqiptarëve mentaliteti nënshtrues dhe vazal për ta përfituar ndonjë privilegj nga Perandoria Osmane?
Aspak dhe kurrë.
Përkundrazi, Perandoria Osmane gjithmonë i favorizoi sllavet ardhacak, të cilët madje i përkrahi për t’ia shkaktuar popullit autokton të gjitha të zezat e mundura dhe pamundura.
Fakti që Porta e Lartë nuk ia lejoi shqiptarëve, pothuajse asnjë shkollë në gjuhën shqipe, ndërsa ardhacakëve sllavë një autonomi të plotë territoriale, politike, ushtarake, ekonomike, kulturore, edukative dhe arsimore, është një dëshmi e pakontestueshme që pranimi i identitetit religjioz islam në dëm të identitetit kombëtar nuk i solli asgjë të mirë kombit shqiptar.
Prandaj jo rastësisht dhe fatkeqësisht populli ynë është i vetmi në Ballkan dhe Evropë, që nuk e përmbylli dhe rrumbullakësoi asnjë herë si duhet çështjen nacionale dhe shtetërore.
Sepse padrejtësitë historike që na u shkaktuan nga superfuqitë e kohës, ishin pikërisht po aq të mëdha, sa ishte e vogël gatishmëria, aftësia dhe shkathtësia jonë për t’u mbrojtur prej tyre.
Ne tradicionalisht kemi qenë të prirur për të vetëvajtuar se padrejtësitë që na ndoqën përgjatë tërë historisë si hije, na u shkaktuan vetëm pse ishim populli i vetëm liridashes në Evropë, që s’kishte ambicie të sëmura shoviniste, eksploatore, politike, kulturore, ushtarake, territoriale, hegjemoniste ekonomike dhe financiare ndaj fqinjëve.
Mirëpo këtë e kemi bërë para se gjithash për ta ngushëlluar vetveten dhe për t’i fshehur të metat dhe dobësitë tona.
Mirëpo pikërisht ky hezitim për t’i diagnostikuar si duhet të metat dhe dobësitë tona, na ka kushtuar më së shumti, sepse asnjë herë s’kemi mësuar nga gabimet dhe dështimet tona.
E meqenëse ketë s’po e bëjmë as sot, nga paaftësia për tu konfrontuar me të vërtetën e hidhur, ato po na përsëriten pandalshëm dhe po na kushtojnë shumë deri në ditët e sotme.
Prandaj pikërisht këto të meta, dobësi, gabime dhe dështime ndikuan drejtpërsëdrejti që ndaj një pjesë të konsiderueshme të popullit tonë të ushtrohet gjenocidi i shumëfishtë në disa epoka historike dhe deportim i dhunshëm në Turqi e shumë shtete përreth, ndërsa ndaj pjesës tjetër shkëputje e dhunshme nga rrënja dhe trungu kombëtar, gjegjësisht nga tërësia gjeografike dhe hapësinore.
Prandaj koha është që ta ndryshojmë definitivisht këtë sjellje të kobshme ndaj vetvetes.
Është mirë që Qeveria e Albin Kurtit të dëshmoi që është sinqerisht e interesuar për ndryshime përmbajtësore pikërisht ashtu siç ka premtuar.
Mirëpo pa e shndërruar zanafillen e problemeve në diagnozë të saktë siç kam tentuar unë përmes këtij shkrimi, terapia do të jetë e pamundur.
Opinion nga politikologu, Lirim Gashi