Kjo metodë e trajtimit të infertilitetit aplikohet tek ҫiftet tek të cilat nuk ka ardhë për një kohë deri te shtatzania edhe përkundër marrëdhënieve të rregullta seksuale si dhe përcjelljes së ovulacionit për më së paku 3 muaj nga ana e specialistit për infertilitet.
Procedura konsiston në stimulimin e vezoreve me qëllim të zhvillimit të folikulave respektivisht të qelizave vezë, gjë që zakonisht bëhet me tableta Klomifen për 5 ditë, duke filluar nga dita e 4-të e ciklit menstrual. Ndonjëherë mund të përdoren edhe injeksione për stimulim, mirëpo këto të fundit janë shumë më të shtrenjta se sa tabletat dhe për këtë duhet informuar pacientët, pasi që efekti përfundimtar është pothuajse i njejtë.
Pasi që të fitohen një apo më shumë qeliza vezë me stimulim, atëherë zakonisht gruas i injektohet një ampullë HCG (Human chorionic gonadotropin) për pjekjen definitive të qelizave vezë brenda folikulave, e pastaj, pas 36 orëve, me një kateter special sperma e partnerit vendoset në brendi të mitrës së gruas.
Duhet cekur se sperma për këtë procedurë jepet me masturbim të partnerit rreth dy orë para vendosjes së saj në mitër. Atëherë sperma përpunohet në kushte të posaҫme në laborator, ashtu që pas përpunimit, veҫohet sperma më e aftë dhe më vitale e cila pastaj vendoset në mitrën e gruas.
Procedura e inseminimit nuk është procedurë e dhimbshme apo e rrezikshme dhe preferohet kryesisht te infertiliteti mashkullor, më saktë te rastet kur kemi të bëjmë me zvogëlimin e numrit të spermatozoideve, por nuk preferohet të kryhet kur ky numër është shumë i vogël.
Poashtu kjo metodë aplikohet edhe kur te shtatzania nuk arrihet për shkaqe të panjohura.
Duhet cekur se te inseminimi (IUI), procesi i fertilizimit respektivisht i bashkimit të qelizave vezë dhe spermatozoideve si dhe zhvillimi embrional kryhen në kushte “in vivo”, respektivisht në organizmin e gruas, gjë që dallon nga procedura e fertilizimit artificial (IVF), ku këto procese kryhen “in vitro”, gjegjësisht në kushte laboratorike, dhe embrionet e gatshme vendosen në mitrën e gruas e jo sperma e përpunuar, siҫ ndodhë te inseminimi.
Poashtu, sa më i madh që të jetë numri i spermatozoideve dhe sa më kualitative që të jenë ato, edhe rezultatet do të jenë më të mira te inseminimi artificial. Në kohën e fundit zakonisht preferohen të kryhen te ҫifti infertil deri në tri inseminime, dhe, nëse as atëherë nuk vjen deri te shtatzania, atëherë ҫiftit i rekomandohet fertilizimi i asistuar apo IVF si metoda e fundit e shërimit të infertilitetit.
Inseminimi intrauterin mund të kryhet me spermën e partnerit (AIH) apo edhe me spermën e donatorit (AID), atëherë kur kemi të bëjmë me azoospermi respektivisht me mungesë të spermatozoideve te partneri. Pra, në rastin e fundit mund të aplikohet inseminimi me donacion të spermës, për ҫka është i nevojshëm pajtimi me shkrim i të dy partnerëve edhe ate kur ligji e lejon një procedurë të tillë. Në këto raste sperma mund të merret nga donatori i njohur apo anonim, gjë që poashtu varet nga ligjet në fuqi e pastaj nga përcaktimi i ҫiftit. Zakonisht, pothuajse në të gjitha vendet e botës ku është i lejuar donacioni i spermës, preferohet që ai të jetë anonim.
Dr Gjina Zeqiri MSc, PhD
Gjinekologe – Obstetre
Specialiste për infertilitet dhe IVF