Anëtari i kryesisë dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë në tri javët e fundit kanë hyrë në zonën e kuqe dhe nuk ka kuptim vonimi i konstituimit të institucioneve.
Hoti në Rubikon thotë se është plotësisht në dorën e Kurtit që ta marrë mandatin nga presidenti qysh nesër.
“Ne nuk do t’ia kthejmë përgjigjen për këtë letër. Ne jemi të gatshëm të shkojmë në takim vetëm nëse Vetëvendosje na thërret për të nënshkruar marrëveshje”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se janë dispozitat kushtetuese të cilat nuk e bëjnë të qartë zgjedhjen e qeverisë për herën e dytë.
Hoti thotë se ka fituar përshtypjen personale se Kurti nuk dëshiron marrëveshje me LDK-në.
“Përshtypjet e mija nga sjella e tij në takime është se ai nuk dëshiron të arrijë marrëveshje, sepse asgjë nuk do ta pengonte Kurtin që ta krijonte qeverinë. Ata nuk e kanë pranuar asnjëherë propozimin për kandidat për president të bërë nga LDK-ja. Ata po synojnë që ta kenë kryeministrin, kryetarin e Kuvendit dhe presidentin. Nëse ata nuk e premtojnë mbështetjen për LDK-në ata po e duan për vete”, ka thënë ai.
Ai tutje ka treguar ofertën e Vetëvendosjes për pozitën e presidentit.
Hoti thotë se Vetëvendosje ka kërkuar që të dyja partitë të angazhohen për shkarkimin e presidentit aktual, dhe se të dyja të angazhohen për gjetjen e një kandidati jashtpartiak për president.
Sipas tij, Vetëvendosja ka propozuar se nëse dështon gjetja e këtij kandidati LDK-ja jep propozimin por i njëjti duhet të votohet nga organet e Vetëvendosjes.
Dhe pika e fundit sipas Hotit, nga VV është kërkuar të dyja partitë dakordohen se nuk do të kërkojnë asnjë votë jashtë koalicionit qeverisës.
Hoti thotë se për LDK-në do të ishte e pranueshme që të dyja partitë e mbështesin një kandidat të cilin e propozon LDK-ja e që i plotëson kërkesat kushtetuese.
“Ne kemi insistuar që për të mbërritur një balancë të pushteteve duhet një president që vjen nga LDK-ja”, ka thënë ai.
Duke folur për emrat e ministrave që VV ka propozuar, ai ka thënë se nuk është punë e tyre të komentojnë.
Ai thotë se nuk do të lejojnë që VV të ndërhyjë se kë e zgjedh LDK-ja kryetar të Kuvendit, duke shtuar se të njëjtit kanë pretenduar ta bëjnë një gjë të tillë.
“Nuk është në dorën tonë që të bëjmë koalicione me partitë tjera. Rrugët tona janë të qarta, ose hyjmë në koalicion me VV ose formohet një qeveri tjetër ku nuk jemi ne. Nuk shoh rrugë tjetër.”, ka thënë ai.
Hoti thotë se nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, nuk ka logjikë që dy subjektet pas zgjedhjeve të tentojnë të arrijnë marrëveshje.
20:55
Hoti: Mbesim të hapur për marrëveshje, e tejkalojmë edhe letrën e Kurtit
Avdullah Hoti, nga radhët e LDK-së, ka deklaruar se janë të gatshëm të tejkalojnë letrën e Kurtit, dhe mbesin të hapur për një marrëveshje me Vetëvendosjen.
Hoti thotë se dëshironin një marrëveshje që do të krijonte stabilitet katër vjeçar.
“Ne insistojmë për një marrëveshje që krijon stabilitet për katër vite. Ne kemi kërkuar kryeparlamentarin, kurse VV-ja dy nënkryetarët. Assesi nuk kemi pasur mundësi të dakordohemi për presidentin që është nonsens. Marrëveshja që ata propozonin për presidentin tregonte se ne do të shkonim në zgjedhje më 2021. Besoj se jemi sjellë korrekt deri më tani dhe do të vazhdojmë të sillemi njëjtë”, ka thënë Hoti.
Ai thekson se letra e Kurtit ishte e panevojshme.
“Nëse Mustafa do të sillej si Kurti do të shkruanim një letër të tillë, që është një pamflet. Unë besoj se duhet të ruajmë respektin ndaj njëri-tjetrit edhe kur nuk pajtohemi. Kjo letër është e panevojshme dhe shumë e papërshtatshme. Nuk ka kuptim kjo formë e komunikimin ndërmjet dy partive që synojnë të qeverisin. Nuk do t’i përgjigjemi, pasi kjo nuk meriton përgjigje. Pavarësisht kësaj Mustafa është deklaruar se ne mbesim të hapur për arritjen e marrëveshjes, pasi kjo letër nuk është konsideruar serioze”, shprehet ai.
Hoti insiston se respekti duhet të ruhet.
“Le të supozojmë se edhe nuk arrijmë marrëveshje, por respekti duhet të ruhet dhe nuk duhet të komunikohet në atë mënyrë. Ne kemi kaluar si LDK edhe barriera shumë më të mëdha për të gjetë një gjuhë të komunikimit në interes të qytetarëve. Më lehtë për ne do të ishte që të qëndronim në opozitë. Ne kemi pranuar të bashkëpunojmë me ta edhe duke e ditur historikun kur kreu i LDK-së ka qenë i sulmuar, e ne e tejkalojmë edhe këtë letër dhe të lëmë derën hapur për një marrëveshje”, u shpreh Hoti.
Ai shton se do të shkonin në një takim nëse ftohen nga Vetëvendosje, por vetëm për të nënshkruar marrëveshjen që kanë propozuar.
“Besoj se do të shkonim nëse na fton z. Kurti. Nëse Vetëvendosje e pranon ofertën tonë atëherë e nënshkruajmë atë. Kemi biseduar shumë gjatë. Nëse VV-ja dëshiron koalicion me LDK-në kjo është forma që ne e shohim, e si merren vesh ata brenda partisë është punë e tyre. Nuk e shoh se si mund të punojmë bashkë nëse nuk merren parasysh këto parime që ka kërkuar LDK-ja, ndryshe nuk e shoh se si mund të punojmë. Ne kemi hyrë që të kemi një balanc të përgjegjësive. Nuk është në dorën tonë se kur Kurti e merr mandatin”, ka thënë Hoti.
















