Evropa duhet të shmangë pesimizmin

E publikuar: 27/12/2019 21:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ana Palacio

Gjatë dekadës së fundit, reflektimet dhe parashikimet e domosdoshme të fundvitit janë bërë gjithnjë e më të zymta.

Ky pesimizëm është i kuptueshëm: pabarazia është rritur ndjeshëm në pjesën më të madhe të botës; vlerat demokratike dhe normat e qeverisjes janë gërryer vazhdimisht; dhe teknologjia i ka shndërruar shoqëritë dhe ekonomitë tona shumë shpejt, aq sa shumë ndihen të trullosur dhe të pasigurt.

Por, ne duhet të kujdesemi që të mos lejojmë që parashikimet e zymta të bëhen profeci vetë-përmbushëse.

Merrni për shembull Bashkimin Evropian. Ndërsa vëmendja e tyre ndërkombëtare ka rënë, evropianët kanë filluar të ndihen gjithnjë e më të pafuqishëm, si individë, si kombe dhe si një bllok. Pa një vizion unifikues për të ardhmen, BE-ja e ka humbur hovin e saj dhe ka rënë viktimë e pasivitetit dhe frikës nën maskën e nostalgjisë.

Por e kaluara, e cila për shumë evropianë s’ka ekzistuar kurrë, dhe e tashmja të cilës ata i shmangen nuk është dhe aq e keq sa duket. Evropa mbetet një superfuqi ekonomike dhe rregullatore, me një potencial masiv diplomatik. Nëse evropianët e pranojnë këtë dhe rifitojnë vetëbesimin e tyre kolektiv, e ardhmja e tyre mund të jetë e ndritshme.

Thirrja që evropianët “të kenë besim te vetja” mund të duket naive dhe e thjeshtë. Por është një parakusht për veprim efikas.

Kjo nuk do të thotë të ndiqni platforma të mëdha federale ose të bëni premtime jorealiste, siç është formimi i një ushtrie evropiane. Përkundrazi, gjëja e fundit që i duhet BE-së është një retorikë e lartë dhe premtime të pamundura. Mos mbajtja e premtimeve të tilla në të kaluarën nga ana e saj ka kontribuar në ndjenjën e madhe të dobësisë dhe cinizmit që ndihet sot.

Në vend të kësaj, BE-ja duhet të bëjë progres konkret për të rritur besueshmërinë e saj.

Këtu, ka arsye për shpresë – duke filluar me Komisionin Evropian të konfirmuar rishtas, të udhëhequr nga Ursula von der Leyen.

Edhe pse Komisioni i ri është përkushtuar një retorike madhështore tepër të njohur, ai mishëron gjithashtu një shkallë të pazakontë realizmi. Kjo nuk është askund më e dukshme sesa në përzgjedhjen e një presidenteje gjermane për herë të parë që nga vitet ’60.

Për më tepër, BE-ja ka treguar një gatishmëri për të eksploruar potencialin e konfigurimeve të ndryshme bashkëpunuese për të nxitur agjendën e politikave.

Për shembull, ka një vrull në rritje për një Këshill Evropian të Sigurisë, një propozim i paraqitur nga Franca dhe Gjermania, për të forcuar politikën e jashtme evropiane dhe për të mbështetur bashkëpunimin përsa i takon sigurisë me një Mbretëri të Bashkuar post-Brexit.

Një Mbretëri e Bashkuar e tillë do të krijohet shumë shpejt, duke pasur parasysh fitoren dërrmuese të Partisë Konservatore të kryeministrit Boris Johnson në zgjedhjet e fundit. Johnson bëri fushatë me një premtim për ta nxjerrë Britaninë e Madhe nga BE-ja deri më 31 janar, dhe përmbushja e këtij afati do të ishte një rezultat i mirë.

Sado i padëshirueshëm të jetë Brexit, zvarritja e procesit nuk ka sjellë ndonjë dobi. Përfundimi i sagës 3.5 vjeçare do të lejojë një qartësi strategjike më të madhe.

Një tjetër burim kryesor pasigurie mund të hiqet gjithashtu vitin e ardhshëm: Presidenti amerikan Donald Trump.

Ndoshta asnjë zhvillim nuk e ka nxitur më shumë pasigurinë mes evropianëve sesa sulmet tekanjoze të Trump ndaj marrëdhënies transatlantike gjatë tre viteve të fundit.

Nëse ai mposhtet në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, marrëdhëniet nuk do të kthehen thjesht në gjendjen e tyre para zgjedhjes së Trump, por parashikohet që ato të ndreqen dhe evropianët do të jenë në gjendje të psherëtijnë të lehtësuar.

Edhe një fitore për Trump, megjithatë, do të sigurojë lloj qartësie. Do të jetë e qartë se Shtetet e Bashkuara nuk mund të llogariten më si një partner strategjik. Në vend që të përpiqet të largoje Trumpin, aq më pak të mbështetet tek ai, Evropa duhet të ecë përpara më vete.

Një arsye e fundit për shpresë në lidhje me perspektivat e Evropës në vitin 2020 është pranimi nga ana e saj për kërcënimin që paraqet Kuna për rendin ndërkombëtar liberal.

Në mars, BE-ja e etiketoi Kinën një “rival sistematik”. Në fillim të këtij muaji, në takimin e liderëve të NATO-s në Londër, BE-ja vazhdoi më tej, duke pranuar se fuqizimi i Kinës përbën “sfida që duhet t’i adresojmë së bashku si Aleancë”.

Kjo ngjall shpresat se Evropa nuk do të verbohet aq shumë nga premtimi për financime dhe investime kineze sa të mos i qëndrojë vlerave të saj dhe të mbrojë interesat e saj afatgjatë.

Sfidat me të cilat përballet Evropa – përfshirë menaxhimi i emigracionit dhe zhvillimi i një strategjie të re për Afrikën – mund të jenë të mëdha, por zor se janë të pakapërcyeshme.

Progresi do të kërkojë vizion strategjik, vullnet politik dhe zvatime efikase. Por së pari, ai do të kërkojë më tepër vetëbesim. /Project Syndicate/BIRN/