SHBA-të urojnë Konjufcën, kërkojnë nga Kurti e Mustafa formim të menjëhershëm të qeverisë

E publikuar: 26/12/2019 18:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë nëpërmjet një njoftimi kanë uruar zgjedhjen e Glauk Konjufca, në postin e kryetarit të Kuvendit.

Poashtu në njoftim kjo Ambasadë shpreh kënaqësinë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Tutje kërkohet nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, që sa më shpejtë ta krijojnë qeverinë.

“Ambasada e SHBA-së mirëpret konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe uron kryetarin Glauk Konjufca dhe anëtarët e tjerë të kryesisë së Kuvendit. Ne inkurajojmë liderët politikë që menjëherë të formojnë qeverinë e re, e cila duhet të angazhohet për të përmbushur premtimet e dhëna për votuesit. Ne mezi presim që të punojmë me qeverinë e re në çështjet e ngutshme që lidhen me paqen, drejtësinë dhe prosporitetin”, shkruhet në reagimin e ambasadës.