Bosch për VV-në dhe LDK-në: Për të mirën e Kosovës, bëni kompromis

E publikuar: 19/12/2019 18:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch sërish iu ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së që të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje.

Bosch, i cili më herët i kishte propozuar tre emra konsensual për president, meqë dy partitë s’po mund të merren vesh për këtë pikë, iu ka referuar zyrtarëve të dy partivë si miqtë e tij kosovarë.

“Miqtë e mi kosovarë, ende nuk ka përparim? Nuk është mirë për vendin. LDK thotë se është e tepërt që VV-ja të ketë edhe presidentin edhe kryeministrin, kurse VV-ja thotë është e tepërt që LDK-ja të ketë edhe presidentin edhe kryetarin e Kuvendit”, ka shkruar ai.

Tutje Bosch thotë se duket që të dyja këto parti kanë të drejt, kështu që përgjigja për president, kur të lirohet karrigja e presidentit, të zgjidhet një kandidat i pavarur.

“Unë tashmë i kam përmendur tre emra, por ka edhe opsione tjera. Ju lutem për të mirën e Kosovës, bëni kompromis”, ka thënë ai në fund.

Emrat që ka propozuar Bosch për president konsensual janë: Fatmir Sejdiu, Veton Surroi dhe Vjosa Dobruna.