Kosnett: Amerika asnjëherë nuk ka inkurajuar ndryshimin e kufijve apo ndarjen

E publikuar: 17/12/2019 14:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë,, Philip Kosnett, ka thënë se vendi i tij asnjëherë nuk ka inkurajuar në mënyrë aktive ndryshimin e kufijve apo ndarjen

“Ne kemi thënë se nëse Kosova dhe Serbia bien dakord për një zgjidhje gjithëpërfshirëse që përfshin rregullimin e kufijve, ne nuk do ta refuzojmë atë, por është e rëndësishme që shikuesit tuaj ta dinë që SHBA. asnjëherë nuk ka inkurajuar në mënyrë aktive ndryshimin e kufijve, ndarjen, siç e kanë quajtur disa”, tha ai në një intervistë për Kossev, transmeton Klan Kosova.

Ai shtoi gjithashtu se qëndrimi i administratës amerikane është se “marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të jetë e pranueshme për disa politikanë por për popujt e të dyja vendeve”.

Sidoqoftë, kur erdhi tek ideja e ndarjes, Kosnett deklaroi se mbështetja midis komuniteteve serbe dhe shqiptare në Kosovë është jashtëzakonisht e vogël.

I dërguari i Washingtonit të Prishtinë ka komentuar edhe rastin e dënimit me dy vjet burgim të ish-ministrit serb në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq rreth deklaratave të tij për Masakrën e Reçakut.

Ai me këtë rast tha se revizionizmi historik është i gabueshëm dhe i rrezikshëm, “por si amerikan duhet të them që jemi shumë të kujdesshëm me kriminalizimin e fjalës ”.

I pyetur për t’i dhënë këshilla Albin Kurtit, Kosnett tha se ai mendon se Kurti e di që duhet t`i bind të njerëzit se ai synon të jetë kryeministër i të gjithë njerëzve në Kosovë.

Ai përsëriti me këtë rast se Kurti nuk ishte zgjedhur Kryeministër i “Republikës së Shqipërisë së Veriut”.

“Unë jam takuar me Kurtin shumë herë, dhe mendoj se ai plotësisht ka ndërmend të jetë një drejtues që mendon për nevojat e të gjithëve në vend. Unë mendoj se është koha të fillojmë ta tregojmë këtë. Kurti duhet të fillojë të udhëtojë në vend dhe të takojë njerëz nga të gjitha komunitetet, jo vetëm udhëheqësit politikë, por edhe qytetarët e thjeshtë, “shtoi diplomati amerikan.