Leksion Messit dhe Ronaldos

E publikuar: 03/12/2019 13:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Në sport dhe në futboll nuk ka rëndësi vetëm fitorja, por edhe respektimi i shokëve dhe rivalëve tuaj.”  Kjo frazë është e Luka Modricit, që deri pak orë më parë ishte fituesi në fuqi i Topit të Artë. Kroati ishte i pranishëm në ceremoninë e zhvilluar në Paris, për t’ia dorëzuar trofenë Lionel Messit. Një gjest i duartrokitur gjatë, që lartëson figurën e Lukës së vogël.

Modric ishte i ftuar dhe nuk mungoi, duke humbur ditën e pushimit, që është shumë e shtrenjtë për të dhe familjen e tij përgjatë një sezoni të ngjeshur. Aq më tepër që nuk ishte as në listën e të nominuarve për ta fituar “Topin e Artë”. Duhej të merrte pjesë si një personazh sekondar në “shenjtërimin” e një rivali të madh, si Lionel Messi.

Ai dha shembullin fisnik, duke treguar respekt për fituesin, atë që nuk e bënë Cristiano dhe Leo vitin e kaluar, edhe pse ishin në radhët e finalistëve. Ata ishin respektivisht në vend të dytë dhe të pestë. “Kur nuk fiton, për respekt duhet të jeni atje, sepse në netët si kjo feston futbolli.”

Luka është një person plot elegancë, brenda dhe jashtë fushës, një zotëri që nderon këtë sport dhe këtë lojë.
BOTA SOT