Sot s’ka takim liderësh, LDK-ja e VV-ja takohen në nivel të grupeve punuese

E publikuar: 29/11/2019 12:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Albin Kurti, lider i Vetëvendosjes, e kreu i LDK-së, Isa Mustafa, nuk do të takohen sot për të diskutuar për koalicion. Gjatë ditës për të përmbyllur edhe disa çështje që u kanë mbetur pa u diskutuar, do të takohen grupet punuese të të dy partive, ka konfirmuar për Gazetën Express Lëvizja Vetëvendosje.

Albin Kurti, lideri i Vetëvendosjes, një ditë pas takimit që pati me kreun e LDK-së, Isa Mustafa, dhe nënkryetarët e partive, ka shkuar në Shqipëri për t’u solidarizuar me viktimat dhe të lënduarit nga tërmeti i së martës.

Rrjedhimisht, sot gjatë ditës nuk do të ketë një takim në nivel të liderëve, mirëpo, do të shihen edhe një herë grupet punuese, me shumë gjasë në takimin e fundit për të përmbyllur edhe pak çështje të mbetura. Kështu ka konfirmuar Lëvizja Vetëvendosje.

“Sot do të mbahet takimi në mes të grupeve punuese, siç është deklaruar edhe dje nga kryetarët e dy partive, do të përfundohen edhe pak çështje që kanë mbetur për t’u përmbyllur. Pastaj në ditët në vazhdim do të ketë takim tjetër në nivel të liderëve”, ka deklaruar për Gazetën Express, nënkryetarja e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku.

Takimi merret vesh se do të mbahet në orën 13:00, në Kuvend të Kosovës.

Takimi i dytë në nivel të liderëve, pas gjashtë tetorit u mbajt dje në Kuvend të Kosovës, derisa, për më shumë se dy orë, LDK-ja e VV-ja kanë diskutuar për tema të rëndësishme, siç është ndarja e posteve, e edhe pozita e presidentit të ardhshëm, që do ta pasojë Hashim Thaçin.

Albin Kurti ka deklaruar pas takimit se në ditët në vijim do të lidhet koalicioni për legjislaturën e 7-të, derisa tha se janë dakorduar për harmonizimin programor.

“Do të takohemi intensivisht ne dy kryetarët e dy subjekteve, sepse doemos do ta bëjmë marrëveshjen”, tha Kurti para mediave.

Konstruktiv takimin e cilësoi edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, që edhe i uroi fitoren të parit të Vetëvendosjes. /GazetaExpress/