Daçiq: Lobimin kundër Kosovës po e përdorim si presion për t’i shtyrë drejt kompromisit

E publikuar: 02/10/2019 12:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Serbisë në mënyrë të hapur përkrah Listën Serbe në zgjedhjet e 6 tetorit që do të mbahen në Republikën e Kosovës, ndërkohë pjesën tjetër të komunitetit serb që do të garojë ndaras nga partia e Goran Rakiqit e linçon dhe akuzon për tradhti, shkruan Gazeta Express.

Lidhur me këtë çështje ka folur sot ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se Prishtina dëshiron të futen në parlament serbët të cilët e kundërshtojnë politikën e Serbisë, shkruan N1, transmeton Gazeta Express.

Tutje Daçiq përsëri u ka bërë thirrje serbëve që të votojnë Listën Serbe, pasi sipas tij kjo nuk është vetëm një çështje politike.

Ndër të tjera ai ka thënë se nuk do ta ndalë lobimin kundër pavarësisë së Republikës së Kosovë.

“Ne po bëjmë punën tonë, për të treguar që asgjë s’ka marrë fund dhe për t’i bërë preson Prishtinës për një kompromis”, ka thënë ai.

Në fund ai ka thënë se Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të diskutojë raportin e fundit të Sekretarit Gjeneral për Kosovën në mbledhjen e 31 tetorit.