Selmanaj për dialogun: Thaçi e uzurpoi, AAK dezertoi, Nisma-PSD sekretariat i Thaçit (VIDEO)

E publikuar: 26/09/2019 22:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Driton Selmanaj nga LDK-ja, në debatin për dialogun me Serbinë, ka thënë se kjo parti nuk pretendon që si e vetme ta udhëheqë këtë proces.

“Ka një dallim sepse nuk mund ta kuptojmë situatën aktuale me atë çfarë ka qenë para 20 vjetësh, sepse kemi qenë një periudhë kur nuk kemi qenë shtet, nuk kemi pasë subjektivitet ndërkombëtar dhe institucione demokratike – nuk kemi qenë shoqëri e konsoliduar edhe politikisht”.

“Situata, që ka qenë në atë kohë, ka nxjerrë një nevojë të domosdoshme për qasje më pragmatike dhe më të hapur dhe gjithëpërfshirëse. Sot, Kosova feston 11 vjetorin e Pavarësisë, ka institucionet kushtetuese që kanë mandat kushtetues”.

Ai në Zona Zgjedhore të Klan Kosovës ka thënë se LDK-ja e ka kundërshtuar qasjen e presidentit Hashim Thaçi ndaj dialogut ashtu sikur edhe më pas qasjen e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Por, ai ka treguar se kjo parti nuk e ka mbështetur as krijimin e Ekipit Negociator për Dialogun – ashtu si ishte krijuar.

“Kemi qenë kundër mënyrës se si presidenti Hashim Thaçi e pati uzurpuar procesin e negociatave me Serbinë në kundërshtim me Kushtetutën dhe patëm kundërshtuar fuqishëm edhe dezertimin ndaj mandatit kushtetues që e bëri kryeministri Ramush Haradinaj”.

“Së fundmi, kundërshtuam edhe atë që ne e quajmë krijesë hibride, një Ekip Negociator, të cilin e kundërshtuam në aspektin kushtetues, por edhe nga përbërja dhe përmbajtja sepse nuk arrinim ta kuptonim se ku e ka vendin në skemën tonë kushtetuese institucionale. Këtë e vërtetoi edhe Gjykata Kushtetuese”.

Selmanaj është shprehur i bindur se LDK do të dalë fituese në zgjedhjet e 6 tetorit, prandaj edhe barra e këtij procesi i bie Vjosa Osmanit.

“Ne jemi të bindur që këtë mandat kushtetues e ka qeveria e Kosovës dhe askush tjetër. Duke qenë të bindur që këto zgjedhje do ta nxjerrin LDK-në fituese dhe ne do të udhëheqim me qeverinë, atëherë hisja më e madhe i bie Qeverisë së Kosovës dhe kryeministres Vjosa Osmani ta udhëheqë këtë proces”.

“Nuk e shohim këtë proces krejtësisht të izoluar, por me një qasje produktive dhe konstruktive edhe me partitë opozitare për të ofruar sa më shumë bashkëpunim që këtë problematikë ta shohim si interes nacional, dhe jo si interes i një subjekti të caktuar politik”.

Selmanaj nga LDK-ja, duke folur për dialogun me Serbinë, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi e kishte uzurpuar procesin, AAK-ja kishte dezertuar, derisa nuk ka lënë pa e kritikuar edhe qasjen e Nismës edhe PSD-së.

“Procesi i negociatave me Serbinë ka filluar më 8 mars 2011. Fillimisht ishte planifikuar që të ishte një dialog për çështje teknike, madje në rezolutën e parë të miratuar nga Kuvendi i Kosovës kishte tendenca të përfshirjes së Kuvendit në këtë proces”.

“Kryeministri Hashim Thaçi e filloi këtë proces të negociatave, por me mungesë totale të transparencës. Kuvendi filloi të shndërrohej në spektator të këtij procesi. Kuvendi kuptonte i fundit çfarë po ndodh me marrëveshjet, fillimisht të karakterit teknik, që më pas rrëshqiti në negociata politike”.

“Filluan të diskutoheshin edhe çështje që as që ishin menduar se mund të dalin si proces i negociatave – u diskutua edhe funksionimi i brendshëm i shtetit deri në rrezikun për të ndarë Kosovën”.

“Në momentin kur LDK-ja në atë kohë me Isa Mustafën kryeministër deshi të aplikojë një mënyrë tjetër të këtij procesi që pas çdo procesi negociator të raportonte në Kuvend. Kur erdhi Isa Mustafa të raportojë herën e parë në Kuvend u sulmua me vezë”.

“Aty pothuajse u ndal gjithçka dhe më pas këtë proces e uzurpoi presidenti Hashim Thaçi dhe për çudi pati dezertim të AAK-së. Më pas, Nisma dhe PSD u angazhuan për t’u bërë një Sekretariat i presidentit Hashim Thaçi”.

Ai ka deklaruar se qasja e LDK-së dallon katërcipërisht nga qasjet e partive të tjera për dialogun me Serbinë.

“Për LDK-në është e papranueshme që presidenti Hashim Thaçi të realizojë takime të fshehta me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Për LDK-në është e papranueshme që të ketë bisedime sekrete mes njerëzve të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe përfaqësuesve të Serbisë, si Marko Gjuriq”.

“Dialogu duhet të bëhet nga institucionet e Kosovës dhe gjithçka duhet të jetë transparente. LDK-ja është e gatshme të marrë përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe të rifillojë këtë proces”.

Selmanaj ka pohuar se për LDK-në dialogu është i paalternativë.

“Nuk mund të zgjidhim problemet me Serbinë në asnjë variant tjetër përpos dialogut, por fillimisht duke artikuluar qartë interesat e Kosovës dhe duke qartësuar pozicionin të secilit përfaqësues të institucioneve të Kosovës”.

“Nuk guxojmë të futemi në aventurë ku më pas në përgjimet e kryeministrit Zoran Zaev në Maqedoninë e Veriut na tregojnë se çfarë ka ndodhë në takimet sekrete të presidentit tonë me dikë tjetër, ose përfshirjen e kryeministrit shqiptar Edi Rama”.

“Qasja për LDK-në do të jetë krejtësisht ndryshe dhe transparente. Për neve është i penegociueshëm territori dhe sovraniteti i Kosovës dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me krejt partitë politike që duan të bëhen pjesë e procesit”.