Liverpooli e ka nisur me humbje mbrojtjen e titullit në Ligën e Kampionëve, pasi u mposht 2:0 nga Napoli në ndeshjen e tyre hapëse në Grupin E në Sao Paolo. Ndërkohë, Barcelona u ndal me barazim nga Borussia Dortmund në ndeshjen e rikthimit të Lionel Messit nga lëndimi.
Për më tepër, Valencia e ka tronditur Chelsean duke e mundur në Stamford Bridge, raporton Gazeta Express.
Napoli 2:0 Liverpool
Liverpooli i Jurgen Klopp e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme mbrojtjen e titullit në Champions, pasi u mund pastër në udhëtim kundër Napolit.
Dries Mertnes nga penalltia në minutën e 82-të dhe Fernando LLorente në minutën e 90+2 shënuan për klubit italian duke e gjunjëzuar kampionin në fuqi.
Klopp i pati vetëm tre minuta kohë të rregullt për Xherdan Shaqirin në këtë takim, i cili u fut në lojë në minutën e 87-të në vend të Jordan Henderson.
Salzburgu e ka mundur 6:2 Genkun dhe i prin Grupit E.
Dortmund 0:0 Barcelona
Dortmund do t’i qajë rastet e humbura dhe lëshimin e një mundësi për të dalë me tri pikë të plota nga skuadra më e fortë në letër në grupin e vdekjes.
Kapiteni Marco Reus dështoi nga penalltia në minutën e 57-të, pasi goditja e tij nga 11-metershi u prit nga Marc-Andre Ter Stegen, duke dëshmuar se nuk ishte nata e gjermanëve.
Barça, që u dominua me raste nëse jo me posedimin e topit, mund të jetë e lumtur me faktin se në këtë ndeshje iu rikthye Lionel Messi.
Kapiteni i katalonasve u fut në lojë nga stoli në minutën e 59-të në vend të adoleshentit Ansu Fati.
Kjo ishte ndeshja e parë për argjentinasin këtë sezon në fanellën e Barçës, pas lëndimit muskulor që ia ka shtyrë deri sot debutimin në sezonin e ri.
Interi u trondit nga Slava Praga sot më herët duke u ndalur me barazim në shtëpi dhe si pasojë Grupi F i ka katër skuadra me nga një pikë pas xhiros së parë.
Chelsea 0:1 Valencia
Kampioni i Evropa Ligës Chelsea u trondit nga një skuadër plot tensione e Valecinas, e cila po vuan nga shkarkimi i papritur i trajnerit Marcelino dhe vinte nga humbja e thellë 5:2 nga Barcelona këtë fundjavë në La Liga.
Rodrigo e shënoi golin që doli të ishte i fitores minimale për spanjollët në minutën e 74-të, pasi mori një pasim fantastik nga Dani Parejo.
Skuadra e Frank Lampard ka mundur ta barazonte rezultatin të paktën, por penalltinë e minutës së 88-të nuk diti ta shfrytëzojë Ross Barkley.
Në anën tjetër, Ajax e mundi me lehtësi 3:0 skuadrën franceze Lille dhe e merr kryesimin e Grupit H.
Ndërkohë në Grupin G
RB Leipzig e ka mundur Benficanë në udhëtim 2:1, ndërsa Zenit dhe Lyon janë ndarë baras 1:1.