333.000 euro, fatura e “armatës politike” të ministrit që e quajti të trilluar masakrën e Reçakut

E publikuar: 10/09/2019 09:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për një vit e gjysmë, nga buxheti i Kosovës ka arkëtuar 32.600 euro si pagë njeriu që e quajti të trilluar masakrën e Reçakut. Gjatë së njëjtës periudhë, edhe dhjetëra e mijëra euro të tjera ka bërë shpenzime Ivan Todosijeviq, i cili ishte në krye të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) nga shtatori i vitit 2017, kur ishte konstituuar Qeveria e Ramush Haradinajt, e deri në prillin e sivjetmë, kur shkaku i deklaratës ishte shkarkuar.

Në 20-vjetorin e bombardimeve të NATO-s kundër forcave të Serbisë që ushtronin krime në Kosovë, Todosijeviq kishte thënë se shkak për atë që e quante agresion, ka qenë “e ashtuquajtura katastrofë humanitare në territorin e Kosovës dhe Metohisë, një Reçak i imagjinuar”, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas këtij ish-ministri, që i përket Listës Serbe, i cili ishte në koalicion ndonëse nuk ia njeh Pavarësinë Kosovës, masakra “ka qenë pikërisht shpikje e shqiptarëve terroristë”. Pati dhënë këtë cilësim, ani se dëshmitar i masakrës ishte bërë edhe William Walker, njeriu që e drejtonte një mision vëzhgues ndërkombëtar, dhe që tha të ketë parë në Reçak krim kundër njerëzimit.

E gjithë fatura e shpenzimeve të Todosijeviqit për një periudhë prej 19 muajve sa e ka drejtuar MAPL-në, kap shumën 56.828.20 euro, pa përfshirë këtu edhe celularin në vlerë 1.199.95 euro, që nuk e kishte marrë me vete kur ishte larguar nga Ministria.

Ndërkaq, i gjithë stafi politik i MAPL-së, prej kur Qeveria Haradinaj e ka marrë mandatin e deri në gushtin e sivjetmë kur është shpërndarë Kuvendi ka shpenzuar 333.474.08 euro. (Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)