Telekomi i Kosovës ka edhe tre ditë afat për t’i paguar 25 milionë euro Z-Mobile

E publikuar: 13/06/2019 02:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Telekomi i Kosovës është në krizë të thellë financiare, në rrezik falimentimi, dhe 2500 punëtorë, do të mbeten pa punë. Shpëtimi i vetëm i kësaj kompanie publike është pagesa e borxhit prej 25.9 milionë eurosh ndaj operatorit Z-Mobile. Afati i fundit për ta paguar këtë shumë parash është më 15 qershor. Në Qeveri nuk kanë ende përgjigje konkrete. Ndërsa në Telekom thonë se janë duke punuar për të gjetur një zgjidhje.

Telekomit të Kosovës i kanë mbetur vetëm edhe tri ditë kohë për të shlyer borxhin prej më shumë se 25. 9 milionë eurosh ndaj operatorit Z-Mobile.

15 qershori është afati i fundit kur Qeveria e Kosovës ose Telekomit të Kosovës duhet ta bëjnë këtë pagesë. Nëse nuk kryhet pagesa, atëherë Telekomi rrezikon të falimentojë dhe 2500 punëtorë do të mbeten pa punë.

Nëse kjo pagesë do të bëhet brenda kësaj kohe, ende nuk e di askush. Në Qeverinë e Kosovës, deri më tani nuk kanë treguar se a do ta ndihmojnë financiarisht ndërmarrjes Telekomin për ta paguar këtë borxh.

Në Telekomin e Kosovës thonë se janë duke punuar intensivisht që të bëhet një zgjidhje.

“Komisionet e brendshme, me autorizim të bordit dhe menaxhmentit, janë duke shqyrtuar çdo formë, e cila do të ishte e përballueshme për Telekomin dhe konform një projeksioni më afatgjatë, duke analizuar gjendjen në të cilën gjendemi”.

Zyrtarë të operatorit Z-Mobile, u shprehën dje se janë duke pritur zgjidhjen brenda afatit, i cili u caktua me marrëveshjen e arritur me Telekomin. “Ne jemi duke e pritur zgjidhjen brenda afatit që vetë palët e kanë kërkuar”.

Ditë më parë, Telekomi i Kosovës i ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i ndajë një shumë prej 15 milionë eurosh dhe një garanci bankare prej 7.5 milionë eurosh, në mënyrë që të investohet në projekte kapitale, në përpjekje për të stabilizuar gjendjen financiare në këtë kompani, e cila ndodhet në prag të falimentimit.

Në kërkesën e Telekomit thuhej se vlera e kërkuar prej 15 milionë eurosh është dividend që Telekomi i Kosovës e kishte ndarë për Qeverinë në vitin 2015, e cila, sipas pretendimeve i ishte dhënë Qeverisë në mënyrë joligjore.

Borxhi prej mbi 25 milionë eurosh që Telekomi i Kosovës i ka kompanisë Z-Mobile, ka të bëjë me mospërmbushjen e kontratës nga ana e Telekomit për dhënien e 100 mijë numrave të telefonit dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G.

Kompania Z-Mobile po e kërkon ekzekutimin prej rreth 26 milionë eurosh nga Telekomi i Kosovës mbi bazën e vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit në Odën Ekonomike Ndërkombëtare të vitit 2016. /Monitor.al