Ju ka qëlluar që të telefonoheni nga numra të panjohur që ju bëjnë oferta joshëse për sisteme filtrimi uji, dyshekë e gjithfarë produktesh. Apo t’ju thonë se jeni numri me fat që jeni përzgjedhur për një super oferte? Telemarketingu i ditëve të sotshme në shumë raste mund të kthehet në një bezdi më vete për personat që nuk janë të interesuar të marrin të tilla telefonata.
Ndaj një detyrë e fundit e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) është ngritja e një regjistri që në finale synon të zgjidhë këtë problematikë.
Kuvendi i ka kërkuar AKEP në rezolutën për aktivitetin e këtij institucioni në vitin 2018 dhe fokusi që duhet të ketë gjatë këtij viti që të ndalet edhe tek zgjidhja e kësaj problematike.
“Të punojë për ngritjen e një regjistri “Do Not Call Me”, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, për të rregulluar aktivitetet e telemarketuesve që bëjnë thirrje telefonike të padëshiruara për individë privatë. Skema e regjistrimit do të mundësojë përdoruesit që të bëjnë “opt-out”, pra të mos marrin thirrje të pakërkuara nga kompanitë telemarketing” thuhet në kërkesën e parashtruar nga Kuvendi për AKEP.
Po kështu për këtë institucion janë bërë edhe një seri kërkesash të tjera ku AKEP duhet të marrë masa për të garantuar sigurinë dhe integritetin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike, në përputhje me rregullat e BE-së për sigurinë kibernetike, si dhe të rrisë më tej bashkëpunimin me Agjencinë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike (ALCIRT), në lidhje me identifikimin e kërcënimeve të mundshme kibernetike dhe njoftimin e operatorëve në kohën e duhur për të marrë masa të menjëhershme.
Kuvendi ka sjellë edhe një herë në vëmendje çështjen e kabllove ajrore duke nënvizuar se edhe kjo pjesë duhet të shihet me kujdes në vitin 2019.
“Të intensifikojë aktivitetin e tij përmes grupit të punës, i ngritur në vitin 2018, në lidhje me kushtet teknike të zbatuara nga operatorët, si dhe të zbatojë masa administrative, sipas ligjit, në rastet e shkeljeve, duke konsideruar problemin e kabllove ajrore apo atyre të vendosura në shtyllëzimet elektrike, si dhe përdorimi i përbashkët i infrastrukturës, si një problem i cili vijon të mbetet shqetësuese” thuhet në rezolutë. /Monitor