Në gjeneratën tonë kemi pasur plot romë. Kurrë nuk i kemi shikuar me përbuzje. Kemi luajtur dhe jemi shoqëruar me ta. Edhe në fakultet në gjeneratë e kam pasur një rom, Xhemajl Zhivollin që u bë mjek i suksesshëm. Asnjë pacient shqiptar nuk ka hezituar të kontrollohej tek ai. Kurrë populli ynë nuk e ka ditur e as që e ka pasur në zemër racizmin. Romët kanë korrë grurë tek ne në katund. Bashkë kemi hëngër bukë në një sofër.
Nga Faik Bllata
Natë e ditë po të mundoheshim, nuk do të kishim pasur fuqi që dikush të degradojë, e njollos ashtu siç jemi duke e vendosur ne veten në fund të pusit.
Shumë u gëzova kur e përjetuam lirinë nga okupimi shekullor nga regjimi serbo-madh, edhe pse me humbje në njerëz, shkatërrim e me tokë të djegur e dhunime të panumërta. Thosha me vete tash vjen liria e bashkë me të edhe demokracia. Por, nuk e kisha idenë se në demokraci bënë kush çka të dojë.
Kush dëshiron e shanë shtetin, kryetarin, kryeministrin, kryekuvendarin. Nuk e imagjinoja se kujt t’i teket e shanë mjekun, drejtorin, gjykatësin, prokurorin, dhe nuk jep kurrfarë llogarie edhe pse linçohen njerëzit pa kurrfarë të vërtete, pa dhënë asnjëherë llogari për fjalën e dhënë e të shkruar.
Krejt sallamadi.
A kësaj po i thonë demokraci a !!!??? A këtij i thonë shtet a !!!??? A ka redaktor, kryeredaktor, a ka drejtor të gazetave, e portaleve që pa u botuar lajmi të kontrollohet, pa e marrë akoma dheun… në mënyrë që pastaj mos të pësojmë si komb.
Jo rastësisht pleqtë tanë kanë thënë “një budalla e qetë gurin në deti e 100 të mençur nuk munden me e nxjerrë”.
Jo një autogol, por 1000 autogola i dhamë vetes si komb, kur pranuam që pas verdiktit të GjND-ës të bisedohet për statusin e Kosovës dhe pranuan t’i vendosim vetes një “baloshë” – fusnotën… Jo një autogol, por 1000 autogola i dhamë vetes kur e madhja doktoresha Flora Brovina e ngriti lart foton e “gjoja” një të dhunuare shqiptare.
Flora është mjeke, humaniste e rrallë, njëra nga personalitetet më të ndritura të kombit tonë e cila në vazhdimësi punoi e veproi për të mirën e kombit tonë.
E pastë në qafë ai që e shtyri të gabojë aq rëndë. E nëse atë gabim e ka ba pa u konsultuar me askënd ia paftë hairin.
Edhe 20 vjet nuk mund të riparohet ky gabim, sepse sot e asaj dite serbët kanë alibi me i mohuar dhunimet dhe gjenocidin që e kanë bërë ndaj popullatës së pambrojtur siç filluan ta mohojnë edhe gjenocidin në Reçak.
Jo një autogol, por 1000 autogola i dhamë vetes në rastin e dhunës nga disa adoleshentë – fëmijë shqiptarë ndaj një gruaje të përkatësisë rome.
Nga shumë fytyra të ndritura të kombit tonë, fëmijëve tanë iu vesh epiteti fashistë dhe racistë.
Kush deri më sot e ka përfaqësuar ma denjësisht Kosovën në Këshillin e Sigurimit sesa e madhja Vlora Çitaku, dhe çuditërisht ajo e bëri gjeneratën e saj dhe atë të sotmen raciste.
Nuk ka asnjë shqiptar që e arsyeton dhunën e te rinjve kundër gruas së pambrojtur rome. Ajo ka ra pre e një dezinformate të lëshuar pa kurrfarë kontrolli. Nuk është në gjenin tonë të bëjmë zullum ndaj asnjë pakice e lëre më ndaj romëve.
E mbajë mend si fëmijë, kur Kada rome vinte në fshatin tim në Rashan të Mitrovicës. I binte defit për mrekulli dhe këndonte në dasma e kanagjeqe. E ne si fëmijë i merrnim lakmi sa bakshishi i jepej. Si gjimnazist kur erdha në Vushtrri, atëherë lëmoshë -kërkues ka pasur veç të nacionalitet rom, dhe ne nxënësit i ndanim ca para të imta dhe ua jepnim atyre. Sa e ndienim veten krenar që i ndihmonim sadopak.
Në gjeneratën tonë kemi pas plot rom. Kurrë nuk i kemi shikuar me përbuzje. Kemi luajtur dhe jemi shoqëruar me ta.
Edhe në fakultet në gjeneratë e kam pasur një rom Xhemajl Zhivollin që u bë mjek i suksesshëm. Asnjë pacient shqiptar nuk ka hezituar të kontrollohej tek ai. Kurrë populli i jonë nuk e ka ditë e as që e ka pas në zemër racizmin. Romët kanë korrë grurë tek ne në katund. Bashkë kemi hëngër bukë në një sofër.
Edhe para luftës, por edhe pas luftës, romët defilojnë rrugëve të qytetit tonë duke i rënë tupanit për netët e mëdha, dhe e gjithë lagjja iu jep ndihma.
Për natën e madhe të Kadrit unë nuk kam qenë në shtëpi në ato momente kur dy romë kanë ardhur kah dera ime dhe duke i rënë tupanit, ka dalë nipi im, Engjëlli i cili dje e ka pasur ditëlindjen (i ka mbushur 14 vjet) dhe iu ka dhënë 5 euro. Kur u ktheva në shtëpi, më doli përpara dhe i gëzueshëm më dha lajmin për gjestin e mirë që ka bërë.
U gëzova edhe unë, e përqafova dhe e urova, dhe si shpërblim ia dhashë 10 euro.
Në qytetin tonë dhe në të gjitha qytetet tona çdo minutë sheh romë. Asnjëherë askush nuk i nguc e as që i përbuzë. Ne jemi popull solidar dhe bamirës. E dimë dhe e kemi provuar dhunën shekullore mbi kurrizin tonë, prandaj në zemrën dhe në shpirtin tonë nuk ka racizëm.
Mirë tha Kimete Berisha, ka raste plot kur djali e sulmon e në rastet më ekstreme edhe e vret nënën apo edhe babën e vetë. Janë plot të rinj që e përdorin drogën, vjedhin, thyejnë dyqane, banka e pompa të benzinës. Si me i quajt ata!!!??? Edhe para luftës e sidomos pas luftës plot rom vijnë në ordinancën time për t’i bërë fëmijët synet. Vijnë me 5, 10 e 15 makina e me tupana. Nga 10 minuta kur të kryhet synetia i bien tupanit dhe vallëzojnë para ordinancës. Krejt lagjja e jonë del dhe i shikon ata. Kurrë nuk ka ndodhur që dikush t’i shikojë keq, e aq më pak ankohet në ta.
Pra, motra dhe vëllezër mos të fusim therë në këmbë të shëndoshë. Rasti i dhunës ndaj gruas rome është rast i izoluar, e kjo ndodhi si rezultat i një shkrimi të pamatur, të pa verifikuar mirë se gjoja ajo po vidhte fëmijë.
Ju lutem deri në qiell e deri te Zoti ju gazetar të nderuar, që për ndonjë rast të tillë, para se ta botoni, verifikojeni 10, 20 e pse jo edhe 100 herë, se pastaj pasojat janë të parikuperueshme.
Jo vetëm që ne duhet me i mbrojtur romët në Kosovë, por duhet t’i mbrojmë edhe të gjitha nacionalitetet tjera dhe në veçanti serbët e Kosovës.
(Autori i këtij shkrimi Faik Bllata është kirurg nga Mitrovica).