Autoriteti i Mediave Audiovizive bëri të ditur, se gjatë vitit të shkuar, ka bërë verifikimin e çdo ankese të ardhur pranë tij nga operatorë të tregut, duke përcjellë më pas në AKEP kërkesat për mbylljen e të paktën 150 ofruesve të shërbimit internet, përmes të cilëve ushtrohej aktivitet audioviziv pirat, i paautorizuar.
Më tej, AMA thotë, se komunikimi me AKEP për ndalimin e piraterisë online ka nisur që në maj, për t’u intensifikuar më pas në muajt nëntor-dhjetor, kur janë dërguar 5 kërkesa për ndalim të piraterisë online, të kryer nga ofrues të shërbimit audioviziv në internet.
AMA ka bërë vetë verifikimin dhe identifikimin e aktiviteteve audiovizive të paligjshme, që kryheshin përmes internetit nga subjekte ISP. Gjatë periudhës së raportimit janë proceduar:
– 4 subjekte iptv të paligjshëm me dënim me gjobë prej 5.000.000 lekë secili;
– 1 subjekt iptv/ott të paligjshëm me sekuestrim pajisjesh audiovizive.
“Ne do të vijojmë monitorimin dhe forcimin e luftës kundër fenomenit të piraterisë, duke shtuar koordinimin me AKEP-in dhe institucione të tjera ligjzbatuese kundër luftës së formave të reja të piraterisë nëpërmjet internetit. Gjatë 6-mujorit të dytë të 2018, AMA është fokusuar në luftën kundër piraterisë që kryhet përmes internetit. Duke pasur parasysh ndryshimet e vazhdueshme teknologjike dhe shtimin e formave të reja të piraterisë në rrjetin e internetit, përmes portaleve, faqeve apo aplikacioneve të ndryshme online, AMA ka zhvilluar disa takime, pranë ambienteve të saj, me përfaqësues të AKEP, si institucioni kryesor që autorizon dhe monitoron aktivitetet në rrjetin e internetit, por edhe me përfaqësues të palëve të interesuara, prodhues dhe përdorues të produkteve dhe të drejtave televizive, si Digitalb, Tring, Albtelecom dhe ABCom.”- citon në raport AMA shkruan Monitor.
Me fokus në kërkesat dhe shqetësimet e operatorëve në fjalë, AMA dhe AKEP nisën punën për hartimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi, me qëllim përcaktimin e procedurave dhe krijimin e një marrëdhënie bashkëpunimi konstante dhe intensive, e cila do të ishte përtej bashkëpunimit të zakonshëm ndërinstitucional.
“Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të AMA-s, AKEP e shprehu gatishmërinë e vet për nënshkrimin e kësaj marrëveshje vetëm në janar 2019, por edhe kësaj here, ndryshimet dhe sugjerimet e AKEP mbi mënyrën e zbatimit të marrëveshjes e bënin atë të pazbatueshme dhe joefikase për qëllimin e rënë dakord më parë nëpër takimet e zhvilluara.”- thotë AMA.
Për vitin 2019, AMA parashikon të forcojë edhe më shumë luftën kundër këtij fenomeni, duke planifikuar kontrolle të vazhdueshme në të gjithë territorin e vendit, në bashkëpunim me AKEP, por edhe me institucionet e tjera, të Policisë së Shtetit etj.