ICT Awards për herë të parë në Vlorë, takime edhe në Tiranë, Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë dhe Pejë

E publikuar: 23/03/2019 00:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me afrimin e afatit të fundit të aplikimeve për edicionin e 7-të të ICT Awards, takimet informative me shkollat, universitetet dhe komunitetin e teknologjisë e informacionit janë intensifikuar.

Të dielën ekipi i ICT Awards për herë të parë organizoi një bootkamp në qytetin e Lezhës me të rinj dhe reja të qytetit për të mbyllur një javë plot entuziasëm dhe emocion.

Maratona e kësaj jave filloi të Martën me dy takime në Shkollën e Mesme Profesionale Hermann Gmeiner dhe atë Profesionale Teknike Elektrike Gjergj Canco në Tiranë.

Në Shkollën e Mesme Profesionale TIK “Hermann Gmeiner” ishte ditë frymëzuese për stafin e ICTAwards.

Drejtoresha e kësaj shkolle inovative zj. Hedije Bejtja përveç pritjes së ngrohtë që na rezervoi, siguroi që projektet më inovative të dala nga nxënësit e viteve të fundit, do të marrin pjesë denjësisht në garën ICTAwards 7 duke përfaqësuar jo vetëm veten e tyre por shkollën & mësuesit e tyre.

Sakaq në Shkollën Profesionale “Teknike Elektrike Gjergj Canco” në Tiranë organizohen takime për të disatin vit me radhë. Takimi u mundësua me mbështetjen e Aftësi për Punë S4J.

Të Mërkuren më 20 Mars ekipi i ICT Awards vizitoi Shkollën Digjitale në Ferizaj ku u njoh me punën e nxënësve të cilët nuk ngurruan as të demonstronin projektet e tyre personale.

Disa prej nxënësve falë talentit dhe përkushtimit të tyre ndaj teknologjisë ishin pranuar edhe në praktike pranë kompanive lokale të qytetit.

Në Tiranë vijuan takime dhe kësaj dite me studentët e TIK të nivelit Master në Institutin Kanadez të Teknologjisë. Përfaqësuesit e garës shijuan mikëpritjen e ngrohtë të Prof. Elton Domnori, stafit akademik dhe nxënësve të shkollës.

Pasditja e së Mërkures kishte rezervuar një takim të fundit pranë Open Data Kosovo. Blerta Thaçi në emër të Open Data Kosovo foli për pjesëmarrjen e saj në ICT Awards dhe mbështetjen që kishte fituar.

Gresa Deda nga Komuna e Prishtinës gjithashtu foli për përgjegjësinë që duhet të kenë institucionet vendore në mbështetjen e projekteve inovative në shërbim të qytetarëve.

Ditën e Premte stafi i ICTSmedia me mbështetjen e kontribuesve të ICT Awards 7 dhe përfaqësuesve të S4J vizituan Vlorën në Shkollën Industriale “Pavarësia.”

Ishte hera e parë që përfaqësuesit e garës udhëtonin në Vlorë. ICT Awards rikthehet përsëri në Vlorë të Shunën në bootkampin e radhës në kuadër të edicionit të 7-ës ku pritet të bashkohen Mobiliteti i Vitit në Edicionin e 5 Genti Selenica nga Baboon, Arjan Ymeri nga Oficina, Driton Musolli nga Transmogul dhe Kushtrim Shala, bashkëthemelues i ICT Awards.

Ky është bootkampi i dytë që organizohet pas atij të qytetit të Lezhës. Por gjatë ditës së sotme kanë vijuar takimet në Kosovë pranë Akademisë Jcoders në Mitrovicë dhe Pejë.

Nxënësit e kësaj akademie ka shkëlqyer në ICT Awards herë si finalistë e herë si fitues.

Edicionit të këtij viti i kanë ngelur vetëm 10 ditë nga mbyllja e aplikimeve të datës 31 Mars. ICT Awards 7 ka hapur garën në 7 Kategori: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Mobiliteti i Vitit, ICT Diploma e Vitit, ICT Ylli në Ngritje, Gruaja në ICT, ICT Shërbimi Publik i Vitit dhe Cyber Security.

Të gjithë ata që besojnë se kanë zgjidhjen e duhur për tu bashkuar emocionit dhe sfidës që sjellë kjo garë mund të aplikojnë në formatin online në kategorinë ku projekti i tyre bën pjesë.

Sistemi shpërblyes i këtij evenimenti realizohet përmes një përzgjedhje të paanshme dhe rigoroze të aplikacioneve të pranuara – përzgjedhje e realizuar nga një juri e kualitetit superior, bazuar në kritere të veçanta etike dhe profesionale të vlerësimit – një ekip vlerësues i përbërë nga personazhet më të spikatura të TIK-ut Shqiptar, e pajisur me njohuri dhe vlera superiore të fushës respektive.

Juria do të funksionojë e pavarur, e pandikuar dhe në mënyrë strikte, e bazuar në vlerësimet e kritereve të vendosura profesionale. /ICTAwards.org