Qytetarët kanë denoncuar 268 problematika në lidhje me rrugët nga tetori i vitit 2018 deri në fund të shkurtit të këtij viti. Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri me dije raportin e përdorimit të aplikacionit “Rruga Dixhitale” duke dhënë detaje për llojin e ankesës apo kërkesës bërë nga qytetarët si dhe në rast se kësaj të fundit i është dhënë apo jo zgjidhje. Kështu nga 268 ankesa të drejtuar ARRSH të paktën 9 prej tyre kanë të bëjnë me çështje shpronësimi dhe nga këto i është kthyer përgjigje 8 prej tyre ndërsa një çështje mbetet pezull.
Çështjet e mirëmbajtjes, gjendjes së rrugës, sinjalistikës apo vjedhjeve zënë pjesën më të madhe të ankesave 214 të tilla në total prej të cilave 211 u është kthyer përgjigje ndërsa 3 të tjera mbeten ende pezull. Sugjerimet apo përshtypje në lidhje me një aspekt të caktuar që ka të bëjë me infrastrukturën rrugore janë plotësuar pranë aplikacionit të paktën 25 ndërsa pjesa e çështjeve më të gjera të kategorizuara si “të tjera” në total ishin 20.
Qytetari nëpërmjet telefonit, mund të fotografojë, të shkruajë, apo të dërgojë çdo lloj vërejtje që ka në lidhje me mirëmbajtjen e rrugës, me një vjedhje që ndodh në rrugë, një problematikë që ka në mirëmbajtje dhe ky aplikacion bën të mundur që kjo e dhënë t’i transmetohet ARRSH-së dhe drejtorive përkatëse. Pas kësaj ajo merret në shqyrtim dhe me kompanitë e mirëmbajtjes për të gjetur një zgjidhje.
“Rruga dixhitale” u promovua si një aplikacion që do t’ju jepte zgjidhje problematikave të ngritura nga qytetaret në kohë reale. Kjo nismë është pjesë e programit të mirëmbajtjes së rrugëve me performancë si dhe sigurinë rrugore që qeveria shqiptare po zbaton falë mbështetjes së Bankës Botërore përmes katër kontratave. Në to përfshihet mirëmbajtja e 1334 kilometrave rrugë në katër zona.
E para, është kontrata A që përfshin Rajonin Verior Shkodër-Kukës, me një gjatësi në kilometra 336 dhe me një vlerë 21.2 milionë euro që është marrë nën menaxhim nga (JV) BIOLIAP A.T.E.V.E. & GECI LTD.
E dyta, është zona B që përfshin Rajonin Veri /Qendër/Lindje – Tiranë – Dibër me gjatësi 286 kilometra dhe me një vlerë 19.6 milionë euro e fituar edhe kjo nga (JV) BIOLIAP A.T.E.V.E. & GECI LTD.
E treta, zona C, përfshin rajonin Qendër/Jugor Lindje Fier-Elbasan – Korçë me gjatësi 419 kilometra me një vlerë 11.6 milionë euro dhe e lidhur me kompaninë Rawafed Al-torok Contracting Establishment.
E katërta zona D, rajoni jugor-Vlorë-Gjirokastër, me një gjatësi 350 kilometra, vlerë 13.7 milionë euro dhe operator fitues Elicatechnical Commerce Societa & Salillari shpk. /Monitor