Rebelohen punonjësit ndaj Microsoft për HoloLens

E publikuar: 26/02/2019 04:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të paktën 50 punonjës të Microsoft kanë kërkuar nga kompania të tërhiqet nga një marrëveshje me ushtrinë Amerikane për ti ofruar teknologjinë e realitetit të shtuar.

Grupi tha se pajisja HoloLens nuk duhet të përdoret për të ndihmuar në vrasjen e njerëzve. Në Nëntor Microsoft nënshkroi një marrëveshje me vlerë 479 milionë dollarë për të zhvilluar një platformë ku ushtarët do të përdornin 100,000 pajisje të tilla.

Një letër të dërguar pranë Microsoft ditën e Premte nga 50 punonjës ka gjetur mbështetjen edhe të punonjësve të departamenteve të tjera.

Microsoft nuk duhet të mbështesë ushtrinë Amerikane në dëm të të tjerëve. “Ne nuk jemi këtu për të zhvilluar armë dhe kërkojmë të dimë sesi përdoret puna jonë,” thuhej në letër.

HoloLens u lançua për herë të parë në Mars të 2016-ës ndërsa në një aktivitet mbajtur ditën e sotme u prezantuar gjenerata e dytë, HoloLens 2.

Kjo nuk është hera e parë që punonjësit flasin kundër punës së firmës me agjenci qeveritare.

Në Qershor stafi kërkoi që firma të mos i ofronte shërbime Agjencisë për Emigracionin dhe Doganat pasi u publikuan në media lajme se familje ishin ndarë në kufirin me Meksikën.

Përballë këtij rebelimi Microsoft nuk ka shumë zgjidhje. Në kontratë thuhet se teknologjia përdoret për të gjurmuar, vendosur dhe sulmuar përpara se armiku ta bëjë.

Por Microsoft nuk është e vetmja kompani e cila përballet me zemërim për bashkëpunim me ushtrinë. Vitin e kaluar Google nuk rinovoi një kontratë me SHBA në lidhje me Projektin Maven, një program i inteligjencës artificiale zhvilluar së bashku me Pentagonin.

Nga ana tjetër shefi ekzekutiv i Amazon Jeff Bezos shprehej se firma e tij do të ishte entuziaste nëse i jepet një shans për të punuar me ushtrinë. /PCWorld Albanian