Google zakonisht nuk është prej atyre që bëhet pjesë e eventeve të mëdha të video lojërave por këtë vit do të jetë ndryshe.
Kompania ka planifikuar të zbulojë një projekt misterioz lojërash në Konferencën e Zhvilluesve të Lojërave më 19 Mars.
Google nuk dha detaje por prej kohësh spekulohet se kompania do të lançojë një shërbim abonimi për transmetimin e lojërave quajtur Projekti Stream.
Qëllimi i Google është të krijojë një shërbim “streaming” i cili ofron lojërat më popullore në disa pajisje përfshirë Chromecast apo pajisje të dedikuara.
Kështu përdoruesit mund të luajnë lojëra nga shfletuesit e tyre. Assassin’s Creed Odyssey ishte e para dhe loja e vetme e testuar në shërbimin e Google.
Testimet publike kanë përfunduar muajin e kaluar dhe mbase ka ardhur koha të detajojë planet.
Pjesëmarrja e Google në GDC është që të inkurajojë zhvilluesit të bëhen pjesë e shërbimit dhe të përshtatin titujt e tyre.
Google do të përballet me konkurrencën e Sony, Nvidia, Microsoft e madje edhe Amazon. Microsoft ka planifikuar shërbimin xCloud, ndërsa Amazon gjithashtu po përgatit një shërbim të ngjashëm.
Nvidia dhe Sony tashmë janë pjesë e këtij segmenti. /PCWorld Albanian