Herolind Shala është bërë me skuadër të re pas largimit nga IF Star.
Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës ka nënshkruar me skuadrën e famshme norvegjeze Valerenga.
Pesë herë kampionët norvegjez kanë fituar garën me skuadrat tjera si Stabaek, ODD Grenland, Dynamo Moskë, Grasshoppers dhe Lokeren për t’i fituar shërbimet e Shalës.
27-vjeçari ka nënshkruar kontratë dy vjeçare me Valerengan dhe i është bashkuar klubit në fazën përgatitore në Spanjë.
Drejtori sportiv i Valerengas, Jorgen Ingebrigtsen ka thënë se janë shumë të lumtur që e kanë fituar garën për Shalën.
“Herolindi është një futbollist shumë i shkathët i cili luan në disa pozita. Jemi shumë të lumtur që pas një kohe të gjatë negociatash kemi arritur ta bindim të nënshkruajë me ne”.
Herolind Shala me fanellën e Valerengas
“Shala ka përvojë të madhe dhe për ne është emocionuese ta shohim me fanellën tonë të kaltër”, tha drejtori sportiv i klubit Ingebrigtsen.
Ndërkohë edhe Shala është shprehur shumë i lumtur që do të luaj në një klub të madh si Valerenga.
“Valerenga është një klub i madh që ka ambicie të mëdha. Unë kam ardhur këtu sepse besoj se mund të fitojmë diçka dhe ky është qëllimi im”, përfundoi Shala.
Angazhimi i Shalës me klubin e ri është një lajm i mirë për trajnerin e Kosovës, Bernard Challandes, pasi që Shala është njëri nga lojtarët më të mirë të Përfaqësueses sonë. /Telegrafi/


















