Aeroporti i Madridit ka publikuar një shpallje në të cilën kërkohet pronari i një aeroplani prej 1.9 milionë dollarë amerikanë, i cili ka qenë i parkuar atje për gati 10 vjet.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, drejtoresha e Aeroportit, Elena Mayoral, paraqiti një njoftim publik në gazetën shtetërore zyrtare të Spanjës, Boletín Oficial del Estado, të premten duke kërkuar që ata që kanë ndonjë informacion rreth aeroplanit, të paraqiten në aeroport.
Njoftimi do të zgjasë për tre muaj. Pas kësaj, nëse pronari nuk gjendet, aeroplani do të shitet në ankand dhe të ardhurat do të vendosen në thesarin e Spanjës.
Aeroplani, një McDonnell Douglas MD87, arriti në Aeroportin Adolfo Suárez Barajas në vitin 2010. Që nga ajo kohë gjendet i paprekur aty.
Por përveç kësaj, aeroplani në fjalë tanimë ka fituar pseudonimin “aeroplan fantazmë” nga stafi i aeroportit.
Supozohet se një arsyet se pse pronari nuk po paraqitet është fakti se kushdo që paraqitet për të kërkuar aeroplanin, mund të përballet me një faturë të fuqishme tatimore.
Por ka disa të dhëna se nga ka ardhur.
Gazeta spanjolle El Pais zbuloi se ajo ishte blerë nga një kompani me bazë në Ishujt Kanarie të quajtur Saicus Air në korrik të vitit 2010, kompani e cila kishte falimentuar në dhjetor të po të njëjtit vit. /Telegrafi/