Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi
Rektor i Universitetit Publik “Kadri Zeka” Gjilan
Nuk i vë në dyshim qëllimet fisnike të shumë kritikuesve të universiteteve publike, edhe vetë jam njëri prej tyre, por restrikcioni, mbyllja e programeve studimore, e me këtë edhe zvogëlimi i stafit akademik nuk e ndihmojnë, përkundrazi e dëmtojnë arsimin e lartë publik. Po ashtu, nuk i vë në dyshim qëllimet jo fisnike të shumë kritikuesve të tjerëve, të cilët në emër të “cilësisë” duan ta rrënojnë arsimin publik për përfitime financiare. Momentalisht, në thumb janë universitetet e reja publike, sepse ka përplasje politike rreth formimit të tyre, por goditja e vërtetë është drejt Universitetit të Prishtinës.
Njoftimi i Agjencisë së Akreditimit për mbylljen e shumë programeve studimore në universitetet publike dhe reagimi i Konferencës së Rektorëve, i nxori edhe më shumë në sipërfaqe këto prirje. Ky diskutim është hapur dhe mirë është të rrjedhë. Dihen disa gjëra, por nuk dihen detajet.E dreqi fle në detaje. Ja disa prej tyre.
Formimi i universiteteve të reja publike. Formimi i universiteteve të reja publike ende vazhdon të jetë argument i përplasjeve politike rreth arsimit të lartë. Universitetet ende vlerësohen me shijen e “formimit politik të tyre”. Janë dy argumente që e bëjnë demode këtë qasje: 1. Formimi i çdo universiteti publik është në esencë akt politik (qeveria propozon, kuvendi miraton), edhe nëse është bërë në kohë fushatash zgjedhore, përsëri Kuvendi i Kosovës ka votuar themelimin dhe kjo mbyllë çdo qasje partiake; 2. Për pesë vjet punohet në universitetet e reja, qindra profesorë dhe rreth tridhjetë mijë studentë i ndërtojnë çdo ditë, ndërsa kritikuesit nuk duan ta shohin punën dhe mundin e këtyre dhjeta mijëra njerëzve!Me të vërtetë mendon dikush se për inate politike të stilit “kush i krijoi” mund të luhet me fatin e tridhjetë a katërdhjetë mijë vetave? Dhe me pritjet e familjarëve e shpresat për punë të këtyre mijëra studentëve?
Kjo qasje dilematike rreth universiteteve të reja ka ndikuar që qeveria e Kosovës, pra MASHT, të mos ketë asnjë herë një strategji për zhvillimin e tyre, të mos angazhohet për zhvillimin e tyre dhe ta pengojë zhvillimin e tyre. Kjo ka ndikuar thelbësisht në ritmin e zhvillimit të universiteteve. Besoj së do t’i bënte mirë çështjes diskutimi i mirëfilltë, por jo fushatat denigruese.
Fushata për mbylljen e universiteteve të reja publike. Sidomos në dy vjetët e fundit kjo qasje kulmoi. Nuk pati debat asnjë herë. Në vend të debatit pati fushata për mbylljen e universiteteve të reja. U themelua një grup (formal a joformal?) i cili pa u takuar me profesoratin universitar dhe udhëheqjen e universiteteve publike, hartoi një dokument në të cilin sollën dy propozime:i pari qe reduktimi-mbyllja e universiteteve publike, duke lënë vetëm dy, Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Dukagjinit. Universitetet tjera bëheshin degë a kampuse të këtyre universiteteve.
Fatmirësisht, kjo fushatë dështoi dhe “dokumenti” mbeti i pa zyrtarizuar. Por, ajo që nuk u realizua politikisht po provohet të bëhet me “procedurë”. Neni 14, prg.6 i Ligjit për Arsimin e Lartë 04/L-037 thotë: “Bartësi publik konsiderohet i licencuar, përveç nëse ai dështon në plotësimin e standardeve të AKA-së për akreditim institucional.” Si do të shohim më poshtë, Agjencia e Akreditimit u instrumentalizua për mbylljen e universiteteve të reja.
Se qeveria, në radhë të parë MASHT, nuk i përkrahu, përkundrazi e pengoi zhvillimin e universiteteve, fatkeqësisht ka plotë fakte: MASHT nuk i miratoi dhe procedoi në Kuvendin e Kosovës Statutet e universiteteve; nuk ndihmoi pavarësimin e universiteteve dhe ato ende vazhdojnë të jenë pjesë e MASHT dhe nën-kode buxhetore të tij; u pengua në shumë mënyra burokratike procedura e “marrjes së lejes” për pranimin e stafit akademik dhe administrativ në universitete etj.
Kjo qasje është tejet jo korrekte. Janë vënë në lojë fati i rreth tridhjetë mijë studentëve dhe të qindra profesorëve. Janë vënë në karrigen e mashtruesit rektori, profesori dhe studenti: jemi apo nuk jemi universitet? Vlejnë apo nuk vlejnë këto diploma? Universitetet mbetën si peshku në grep! Këto universitete nuk mund të mbyllen politikisht. Duhet hapur debati për mundësitë e zhvillimit të tyre e jo fushata për linçimin e tyre.
Agjencia e Akreditimit është ngjitur në valle. Fatkeqësisht, Agjencia e Akreditimi u përjashtua nga EQAR pas ndërhyrjes arbitrare të qeverisë me shkarkimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Shkarkimi, pezullimi dhe emërimi i KSHC së re janë të lidhura. Qysh mund të krijohet një institucion neutral dhe i pavarur, nëse e njëjta qeveri e ka shkarkuar disa muaj më parë në mënyrë arbitrare? Çfarë garancie ka KSHC se nuk do të shkarkohet në mënyrë arbitrare përsëri nëse nuk i kryen detyrat? Votat e 77 deputetëve për KSHC tregojnë se të gjithë u ndërgjegjësuam për gabimin e shkarkimit, dhe tash, në stilin ballkanas, hajt ta përmirësojmë gabimin shpejt e shpejt! Emërimet e shkarkimet bëhen shpejt, por gabimet nuk korrigjohen shpejt. Me të vërtetë po mendohet se mund “ta bindim” ENQA, EQAR dhe të tjerët se AKA është e pavarur nga politika me vendimin për mbylljen e 40% të programeve studimore në universitetet e reja, po ashtu në mënyrë arbitrare?
Nuk ka asnjë dyshim, ky arbitraritet i AKA për mbylljen e programeve buron nga arbitrariteti i qeverisë për shkarkimin e KSHC në vitin 2017. Prandaj, disa anëtarë të KSHC kanë detyra për të bërë. Le t’i bëjnë, por nuk mund të na bindin se janë të pavarur nga politika dhe biznesi.
Që të mos keqkuptohem as nga KSHC e as nga qeveria: Diskutimin për AKA e bëj për shkak se edhe vetë kam qenë anëtar i Këshilli Shtetëror të Cilësisë në kohën e anëtarësimit të Agjencisë në ENKA edhe EQAR.
Si i mbylli AKA programet studimore? Unë diskutoj jo të gjitha vendimet e Agjencisë, por vetëm ato për programe të cilat kanë akreditim deri në vitin 2020 e tutje.
Agjencia mund ta tërheq akreditimin një programi të akredituar në çdo kohë (si po e thotë kryetari i KSHC, z. Luboteni), por vetëm mbi bazën e një Raport Vlerësues i shkruar nga tre ekspertë ndërkombëtarë, i cili evidenton shkelje të kushteve të akreditimit, përshkruar në Nenin 21, prg. 4 i Udhëzimit Administrativ 15/2018 (si nuk po e thotë z. Luboteni).
Agjencia bëri të kundërtën: tërhoqi akreditimet pa Raport Vlerësues. Ajo nuk ka kompetencë ligjore, as nuk duhet t’ia lejojë vetes që vetë, në bazë të disa listave të stafit akademik, të vlerësojë programet studimore. Agjencia duhet hapur ta pranojë gabimin, të kërkojë falje, ta rikthejë gjendjen ligjore, dhe deri sa ende nuk ka vendime të shkruar, pasojat janë më të vogla.
Shkelja e dytë është bërë me aplikimin e Nenit 26 të të njëjtit UA në mënyrë retroaktive. Deri në vitin 2018 Agjencia ka kërkuar nga universitetet tre (3) profesorë më orar të plotë për një program, ndërsa në vitin 2018 kërkon që një profesor të baras vlerësohet me 60 ECTS dhe profesori të jetë i fushës së ngushtë (Neni 26, prg. 5.3.4, UA nr. 15, 2018). Këto dy standarde mund të kërkohen për programet e reja, dhe jo në mënyrë retroaktive edhe për programet që vazhdojnë të kenë akreditim.
Në praktikë këto dy standarde kanë këtë rrjedhojë: në Programin Fillor, Programin Parafillor dhe Programin Juridik i Përgjithshëm të Universitetit Kadri Zeka, duhet të rritet numri i profesorëve nga tre në katër profesorë për secilin program veç e veç. Natyrisht, në universitetin publik kjo nuk mund të bëhet për disa javë, prandaj detyrimi retroaktiv për të ndryshuar numrin e profesorëve në programet e akredituara ka de balancuar radhitjen e tyre në ato programe.
Me çdo interpretim pozitiv të ligjit, asnjë ligj nuk mund të ekzekutohen në mënyrë retroaktive, përveç kur është në favor të palës. Në këtë rast, pala është universiteti, ndërsa aplikimi retroaktiv e dëmton palën. Agjencia do të duhej pa hezitim të pranonte gabimin dhe shkeljen ligjore, ta përmirësonte gabimin dhe ta bartë një pjesë të përgjegjësisë.
Grupet e interesit politik e biznesor. Problemi i vërtetë kuptohet vetëm atëherë kur këto vendime të Agjencisë ndërlidhen me kontekstin politik dhe biznesor rreth arsimit të lartë publik në Kosovë. Janë dy procese që e shpërfaqin cullak “gabimin” e Agjencisë.
Edhe grupe të tjera të interesit, nën firmën e OJQ-ve,të cilat vegjetojnë dhe pasurohen nën kujdesin e MASHT që nga paslufta, kanë rol vendimtar në përcaktimin e politikave të arsimit të lartë në Kosovë. Nëse rezymojmë politikën e tyre, ajo ka këtë kuptim: është fat i mirë për Kosovën nëse Agjencia e Akreditimit i mbyllë programet studimore dhe universitetet publike. Kjo fjali e përfolur është thënë, jo një herë, publikisht. Këto grupe të interesit politik e biznesor përmes fushatave të tilla “thithin” donacione e projekte trajnuese, për të korrigjuar të metat e mëdha të arsimit të lartë publik. Në vend se të shikohen si dy aktivitete komplementare, studimi dhe trajnimi, universiteti dhe mësimi përmes trajnimit, këto grupe të interesit krijuan dy palë kundërshtuese.
Nuk duhet neglizhuar edhe një fakt të ri. Deri sa Agjencia mbylli 40% të programeve studimore në universitetet e reja publike, në kolegjet private mbylli 23% të programeve. Ditëve të fundit dolën në media fakte se Agjencia nuk ka vepruar me të njëjtat standarde ndaj të gjithëve: në të njëjtat kushte, disa programe publike i mbylli dhe disa private i akredituar. Ditëve të fundit dolën në media edhe fakte që ndërlidhin financiarisht më shumë se gjysmën e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë me një kolegj privat. Kjo na bën të dyshojmë se Agjencia e Akreditimit është në funksion edhe të grupeve të interesit biznesor.
Dhe tash, kur politikat dilematike apo edhe anti-universitet të MASHT dhe të grupeve të interesit politik e biznesor i shikon në kontekst të vendimit të Agjencisë së Akreditimit për mbylljen e 40% të programeve në universitetet e reja publike, kuptohet natyra e vërtetë e problemit. Agjencia nuk është e pavarur, është e ndikuar politikisht, dhe vendimi i saj për mbylljen e programeve është gabim i qëllimtë, tendencioz dhe në interes të këtyre grupeve formale e joformale politike. Agjencia ia ka hapur rrugën “procedurale” MASHT për të mbyllur universitetet e reja publike.
E keqja është me e madhe: këto grupe të interesit politik e biznesor synojnë Universitetin e Prishtinës. Atë ta gjunjëzojnë dhe me të, gjithë arsimin e lartë publik.
Arsimi i lartë publik duhet mbrojtur!
Ka disa vjet që bëhet fushatë kundër profesoratit universitar dhe vetë universiteteve. Në emër të angazhimit për “cilësi” grupet e interesit politik e biznesor nuk lanë pa sulmuar në universitetet e Kosovës asnjë vlerë. Arsimi i lartë publik është i rrezikuar nga ndërhyrjet politike, nga interesat egoiste e jo legjitime të vet anëtarëve universitar, nga interesat e grupeve politike e biznesore, nga cilësia jo e dëshiruar etj. Kjo gjendje e padëshiruar në arsimin e lartë mund të tejkalohet vetëm me punë, me plan, me strategji, me përkrahje qeveritare dhe me vullnetin e anëtarëve universitar për progres. Kushdo që mendon e kërkon në emër të cilësisë ta mbyll e ta shkatërrojë arsimin e lartë publik, vetëm i hapë rrugë biznesit me arsimin, pra biznesit me diploma!
Mbyllja arbitrare e 40% të programeve studimore të universiteteve të reja nuk është në asnjë rast vendim për cilësi, por vendim politik kundër arsimit të lartë publik. Beteja e vërtetë po bëhet jo vetëm për disa programe studimore, por për ruajtjen e një prej vlerave më të rëndësishme të shoqërisë sonë-arsimit të lartë publik. Tani është koha që kushdo që beson te këto vlera dhe te rëndësia e arsimit të lartë publik, ta mbrojë atë.