Para se të rifillojë eksplorimin në planetin e kuq, Curisosity Rover e NASA-s e ka dërguar një selfie.
Imazhi është realizuar në fillim të muajit në zonën e gërmimit Rock Hall që ndodhet në vargmalet Vera Rubin, ku pajisja është duke qëndruar për afro një vit, transmeton Telegrafi.
Sipërfaqja e planetit duket shumë e thatë, teksa skena është më e pluhurosur se zakonisht, për shkak të stuhive të fundit. Tashmë Curiosity ka ndryshuar lokacion, pasi është nisur për në regjionin me sipërfaqe të butë që njihet si Mount Sharp.
Kjo është fotografia e parë që është shpërndarë, që pas mbylljes së qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Kamera Mars Hand Lens Imager, e vendosur në një dorë robotike të sondës, i ka shkrepur 57 imazhe individuale, që janë përmbledhur në një selfie panoramike.
Nuk është hera e parë që Curisoity dërgon selfie të tilla, pasi ka realizuar për çdo vit nga një, që kur është vendosur në mars më 2012. Të parën e ka realizuar më 31 tetor të po atij vitit, pasi qëndroi për 84 ditë dhe në fund krijoi panoramën me 55 imazhe individuale.
Fotografitë e tilla, i ndihmojnë shkencëtarëve në NASA që të shikojnë gjendjen në të cilën është sonda Curiosity, pas qëndrimit në sipërfaqen e Marsit, ku rrahet shumë prej stuhive marsiane. /Telegrafi/