Në këtë hulumtim është zbuluar se ilaçet e zakonshme kundër dhimbjes, siç është aspirina dhe ibuprofeni, e rrisin shkallën e mbijetesës nga 25 deri 78 për qind nëse në kancer gjendet një gjen specifik, që ndodhet në një të tretën e rasteve të kancerit në kokë dhe qafë. Vlerësohet se 12 mijë njerëz diagnostifikohen me këto lloje të kancerit çdo vit në Britani të Madhe, ndërsa rreth katër mijë e humbin betejën me këto sëmundje.
Shkencëtarët e Unversitetit të Kalifornisë e kanë përcjellur shkallën e mbijetesës së pacientëve për pesë vjet me radhë pas diagnostifikimit. Secili pacient që shënoi këtë rritje e kishte gjenin mutant, të quajtur PIK3CA. Sidoqoftë, ilaçet kundër dhimbjes nuk kishin efekt te pacientët që nuk e kishin këtë gjen specifik.
Dr. Jennifer Grandis, profesor për operacionet e kancerit të kokës dhe qafës, tha se përdorimi i këtyre ilaçeve mund t’ua rrisë gjasat për t’u shëruar edhe pacientëve që vuajnë nga llojet tjera të kancerit. “Rezultatet tona sugjerojnë se përdorimi i këtyre ilaçeve mund t’i përmirësojë rezultatet edhe për kancere tjera që përmbajnë mutacionin PIK3CA, shkruan “Independent”, transmeton Gazeta Express.