Policia angleze është vënë në kërkim të një burri i cili me ekskavator shkatërroi recepsionin dhe dyert e një hoteli të ri në Liverpool, dhe atë vetëm një ditë para se objekti i ri të përurohej.
Videoja e shkatërrimit të hotelit është publikuar në internet, ndërsa ende nuk dihet me saktësi arsyeja se pse ky burrë për rreth gjysmë ore me ekskavator shkatërroi gjithçka para vetes, transmeton Telegrafi.
Në rrjetet sociale kanë shkruar shumë se burri në ekskavator kishte reaguar ashpër për shkak të një borxhi që kapte shumën e 600 funteve, megjithatë një gjë e tillë nuk është konfirmuar.
Ndërkaq në videon e publikuar, mund të dëgjohet një burrë duke thënë se kjo ndodh “kur punonjësit nuk i marrin rrogat e tyre”. /Telegrafi/