Haradinaj thotë se “mosdhënia e vizës nuk e lëkund besimin e tij ndaj SHBA-së”

E publikuar: 18/01/2019 19:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kohë grevash dhe raportimi për shtim të numrit të këshilltarëve që kërkojnë buxhet, kryeministri Ramush Haradinaj sërish e ka përmendur uljen e pagës që ia rriti vetes 100 %.

Në një takim me strukturat e AAK-së në Mitrovicë, Haradinaj ka thënë se kjo do të rregullohet me Ligjin e Pagave, i cili për muaj të tërë nuk po dërgohet në Kuvend.

Haradinaj ka thënë se është i vetëdijshëm për kërkesat që po i parashtrojnë grevistët dhe se do të punojë për ngritjen e pagave, duke ia ulur vetes atë, raporton KTV.

Ndërsa, gjatë një takimi që ka pasur në orët e pasdites me studentët të Vjenës dhe Venecias, në kuadër të programit të studimeve “Europian Master Human Rights and Democratision”, Haradinaj është pyetur edhe për mosdhënien e vizës nga ana e SHBA-së.

Dhe, ka thënë se kjo nuk i prek marrëdhëniet me shtetin që i ka ndihmuar Kosovës.

“Besimi im në ShBA-në nuk ndryshon me vizë apo pa të, na kanë ndihmuar në vitin ‘99, por ky është vendim i një shteti, nuk do të ndryshojë asgjë tjetër”, ka thënë Haradinaj.

Kreu i qeverisë edhe njëherë ka folur për taksën dhe rëndësinë që tregu i Kosovës ka në Serbinë.