Akademikët e Universiteteve të Oksfordit dhe Stanfordit mendojnë se Facebook u detyrohet përdoruesve më shumë transparencë dhe kontroll mbi përmbajtjet që shohin në platformë.
Ata gjithashtu besojnë se gjiganti i medias sociale duhet të reformojë në mënyrë radikale strukturën e drejtimit dhe proceset për të hedhur më shumë dritë mbi vendimmarrjen për përmbajtjet.
Ndryshime të tilla janë të nevojshme për të adresuar shqetësimet e përhapura në lidhje me impaktin mbi demokracinë dhe fjalën e lirë që Facebook ka thuhet në raportin e publikuar prej akademikëve.
9 rekomandimet për Facebook:
Shtrëngimin e standardeve komunitare ndaj gjuhës së urrejtjes
Akademikët besojnë se Facebook ka dështuar të adresojë gjuhën e urrejtjes dhe në disa raste janë hequr përmbajtje të cilat nuk ishin të tilla. Ata thonë se përpjekja e Facebook në këtë drejtim nuk është konsistente.
Të punësojë më shumë moderatorë përmbajtjesh
Problemi nuk qëndron vetëm tek cilësia por edhe sasia thotë raporti. Ata thonë se Facebook duhet të punësojë moderatorë me ekspertizë kulturore dhe politike si dhe të bashkëpunojë me organizata jo qeveritare të besueshme.
Të rrisë transparencën në vendimmarrje
Facebook ende nuk jep informacion rreth praktikave dhe politikave të moderimit të përmbajtjeve. Akademikët thonë se duhet të publikojë më shumë detaje për procedurat.
Të zgjerojë dhe përmirësojë procedurat e apelimit
Raporti i akademikëve gjithashtu sugjeron që Facebook tu jap më shumë hapësirë atyre që duan të apelojnë përmbajtjet e hequra nga rrjeti social. “Një foto e holokaustit e publikuar nga një i mbijetuar ka tjetër kuptim nëse publikohet nga një neo-nazist” thotë raporti.
Të ofrojë kontrollet të Kohështrirjes së Përdoruesve (News Feed)
Raporti kërkon që përdoruesit e Facebook të kenë më shumë kontroll mbi përmbajtjet që u shfaqen në kohështrirje. Gjithashtu të kenë mundësi të zgjedhin mes një kohështrirje algoritmike dhe një kronologjike.
Një tjetër sugjerim është ofrimi për përdoruesit i mjeteve analitike për vlerësimin e burimeve të informacionit dhe si krahasohen mes tyre.
Zgjerimi i kapaciteteve për kontrollimin e informacioneve
Facebook duhet të vendosë në dispozicion resurse të mëdha për identifikimin e përmbajtjeve dhe informacioneve të rreme gjithashtu të burimeve më të mira, më të besueshme për çdo vend të botës.
Krijimi i mekanizmave të auditimit
Raporti thotë që Facebook duhet të krijojë mekanizma auditimi kuptimplote ku të adresohen shqetësimet publike si privatësia, diversiteti, paragjykimi në rrjetin social.
Të krijojë një grup për politikat e përmbajtjeve të jashtme
Facebook ka nevojë për një grup ekspertize që vlerëson standardet e përmbajtjeve dhe implementimin e tyre. Ky grup duhet të përfshijë shoqërinë civile, akademinë dhe njerëz nga gazetaria.
Të krijojë një organizëm të jashtëm apelimi
Raporti së fundi kërkon krijimin e një organizimi të pavarur dhe të jashtëm i cili kontrollon politikat e përmbajtjeve të Facebook. Ky organizëm do të përfshinte përfaqësues nga shoqëria civile dhe grupet për të drejtat dixhitale.
Raporti thotë se problemet e zbuluara tek Facebook nuk i përkasin vetëm gjigantit të medias sociale por janë evidentuar në disa platforma në internet.
Raporti është përgatitur nga Projekti Free Speech debate pjesë e programit Dahrendorft në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, Kolegjin St. Antony, Institutin Reuters, Projektin për Demokracinë në Internet, Universitetin e Stanford dhe Institutin Hoover. /PCWorld Albanian