Një copë akulli në formë disku ka habitur banorët e qytetit Maine në SHBA, kur panë duke “pluskuar” në lumin Presumpscot.
Copa gjigante e akullit kishte marrë formën e hënës në qiell, duke bërë kështu që banorët të pyesin se si është e mundur që të merr një formë të tillë me precizitet të paparë, transmeton Telegrafi.
“Është e pazakontë. Duhet të pranojmë se jo çdo ditë mund të shihni një copë akulli në formë të rrumbullakët duke notuar nëpër lumë”, ka deklaruar një banor i zonës ku është gjetur akulli në formë disku.
Ekspertët vlerësojnë se disku i akullt është rreth 90 metra në diametër, që e bën të jetë copa më e madhe që ndonjëherë është filmuar me kamerë për ta dokumentuar.
Megjithatë besohet se një copë ende më e madhe e akullit në formë disku ishte parë në vitin 1987 në lumin Pite në Suedi, në një diametër prej mbi 120 metra. /Telegrafi/