Banorët dhe turistët e Austrisë nuk janë të vetmit që po ballafaqohen me sasinë e madhe të borës që ka “bllokuar” alpet e këtij vendi, madje probleme të mëdha po kanë edhe kafshët.
Hekurudhat e Austrisë kanë publikuar një video në të cilën shihet se si një tren ishte ndalur, dhe dy zyrtarë shpëtojnë një dhi të egër që kishte mbetur e ngujuar nën borë, transmeton Telegrafi.
Shoferi kishte ndalur trenin, pasi kishte vërejtur se në borë po lëvizte diçka dhe dukej si një dhi e egër. Aty e kuptuan se një kafshë po luftonte për jetë, pasi ishte mbuluar e tëra nga sasia e madhe e borës.
Punëtorët e hekurudhave të Austrisë zbritën dhe më lopata gërmuan nëpër borë, dhe për një moment vërejtën dhinë e ngujuar që pas disa minutave ia shpëtuan jetën. /Telegrafi/