Ekspertët e botës së egër në Rusi, janë mahnitur nga sjelljet e një tigri siberian, që doli prej malit, që të kërkonte ndihmë për plagët që kishte në trup.
Kafsha alfa e grupit, e quajtur Tikhon, kishte shkuar disa herë në një pikë kontrolli që ndodhet në kufi të Rusisë me Kinën, transmeton Telegrafi.
Rojat shkrepën armë në ajër për ta frikësuar, por tigri qëndronte në afërsi duke refuzuar të largohej. Gjatë ditëve që qëndronte pranë kufirit, gjallesa që besohet të jetë mbi 15-vjeçare, i ka mbytur dy qen dhe i ka ngrënë.
Mbrojtësit e rendit u ftuan për të parë gjendjen jo normale të këtij tigri, që është specie në zhdukje në Lindjen e Largët ruse dhe shmang kontaktin me njerëz. Tikhon u qëllua me qetësues dhe u dërguan në një qendër veterinarie në Alekseyevka, ku po trajtohet për lëndimet në trup.
Sjelljet e tigrit u konsideruan shumë të çuditshme, pasi tërë jetën e kaloi në egërsi, ndërsa shkoi të kërkoi ndihmë nga njerëzit.
“Në vitet e tigrit, mund të thuhet se është një plak, aq më shumë që tërë jetën e kaloi në botën egër. Më nuk mund të kthehet në atë zonë”, ka thënë një ekspert i veterinarisë.
Derisa është ende nën mbikëqyrje dhe po i bëhen analizat, nuk është lëshuar ndonjë raport për gjendjen shëndetësore. /Telegrafi/