Lind në metro, i dhurojnë abonim 25-vjeçar

E publikuar: 23/12/2018 12:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një foshnje i lindur brenda metrosë së Parisit do të mund të udhëtojë falas aty për 25 vitet e ardhshme. Djali, i quajtur Ousmane, erdhi në jetë të mërkurën në mbrëmje në një tren që ndaloi në stacionin “Glaciere” në kryeqytetin francez.

Operatori i transporteve në Paris njoftoi se rastësisht aty ndodhej edhe një mjek i cili mundi të ndihmonte mamanë që të lindte pa rrezikuar jetën e bebes dhe të sajën.

“Tani Ousmane ka marrë një abone për të udhëtuar pa pagesë deri në vitin 2043”, thuhet në njoftimin për media, përcjell Telegrafi.

Djali lindi në orën 10:40 të mbrëmjes dhe më pas ai dhe e ëma u dërguan në spitalin “Cochin” në lagjen 14 nga zjarrfikësit.

Dhurata e abonimit 25-vjeçar është e zakonshme për këdo që vjen në jetë në një prej trenat e metrosë së Parisit. Herën e fundit ajo i është dhënë një tjetër bebeje që erdhi në jetë në qershor. /Telegrafi/