Pas dështimit, rishpallet konkursi për Bordin e “Prishtina Parking”

E publikuar: 21/12/2018 10:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komuna e Prishtinës e ka rishpallur sërish të mërkurën konkursin për zgjedhjen e katër anëtarëve të Bordit të Ndërmarrjes më të re komunale “Prishtina Parking”, pasi ka dështuar zgjedhje e Bordit, në konkursin e parë.

Komuna e pati shpallur në fillim të muajit maj konkursin e parë për këto pozita, por atëherë, sipas kryetarit Ahmeti, ishte zgjedhur një Bord i përkohshëm, shkruan sot Koha Ditore.

Ahmeti ka thënë të mërkurën për “Kohën Ditore” se kësaj radhe konkursi është shpallur në marrëveshje me Këshillin Britanik, sepse në konkursin e kaluar në fakt nuk ishte përzgjedhur Bordi.

“Nuk është bërë përzgjedhja e Bordit nga konkursi i kaluar. Kështu që aksionarët e kanë emëruar një Bord, deri në rishpalljen e konkursit që po ndodh tani”, ka thënë Ahmeti për gazetën.

Ai ka shtuar se “kësaj radhe e kam nënshkruar që përzgjedhja të bëhet bashkë me Ambasadën Britanike”.

Ai ka thënë se me përzgjedhjen e Bordit do të krijohet struktura organizative, do të përcaktohen ndërtesa dhe punët e tjera fillestare për funksionalizimin e Ndërmarrjes “Prishtina Parking”.