Edhe në këtë edicion të Panairit të Librit në Tiranë, për gjashtë ditë ngjarja është parë nga perspektiva të ndryshme. Ankesat për shumë vizitorë e pak blerës e ato për politika të mangëta rreth librit vazhdojnë.
Promovimi i veprave letrare mbetet problem më vete edhe sipas laureatit të këtij edicioni. Çmimi i karrierës i është dhënë shkrimtarit Kim Mehmeti me motivacionin: “Për stilin origjinal në krijimin e polifonisë artistike që karakterizon romanin ‘Pusi’, si dhe gjithë veprën e tij letrare”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Fokusi i Panairit të sivjetmë ishte leximi. Por, sipas laureatit të Çmimit të karrierës, Kim Mehmeti, të ankohesh për mungesë të politikave për librin në shtete të drejtuara nga burrështetas “që as abetaren nuk e kanë lexuar deri në fund, është njësoj sikur të ankohesh se pse nëpër shtëpitë publike nuk ka salla leximi”.
“Nëpër ‘Shqipëritë’ tona nuk do ketë politika për librin dhe për artin shqiptar, përderisa kemi ministri të kulturës që përkujdesen vetëm për ‘principatën’ e vet kulturore dhe për krijuesit e ‘oborrit’ të vet partiak”, ka thënë ai për gazetën.
Mehmeti ka thënë se e ka habitur pjesëmarrja e vogël e botuesve nga Kosova. Ka identifikuar edhe disa gjëra të tjera.
“Njësoj siç më duket i çuditshëm ai ‘cirk’ mediatik rreth librave të botuar dy-tri ditë para se të hapet panairi. Nuk jam naiv, e di që edhe libri është ‘mall’ që duhet ta ‘lëvdosh’ që të shitet, por besoj se për vlerat letrare nuk është përcaktuese zhurma mediatike që bëhet rreth tyre”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shkuar edhe më tej sa i përket marketingut. “Pastaj herë-herë kam përshtypjen se panairet e librit fillojnë t’u ngjajnë tregjeve të ‘grave të veja’, ku nuk ka rëndësi ‘malli’ që shitet, por paturpësia e shitëses që blerësve t’ua shurdhojë veshët me britmat lëvduese për mallin që shet”, ka thënë Mehmeti. Në këndvështrimin e tij është shumë mirë që hapësirat shqiptare kanë panaire librash e aty edhe diskutohet për lexim. Por ai propozon edhe debate të tjera.
Mehmeti thotë se do të donte ta kishte gabim, por gjithnjë e më shumë bindet se institucionet kulturore i janë nënshtruar mendësisë së ndasive politike dhe funksionojmë nëpërmjet “principatave”, duke i ndier ato si të vetëmjaftueshme dhe duke u ndje në to të vetëmjaftueshëm.
“Aq më shumë, kur ne edhe brenda ‘principatave’ tona kulturore veprojmë çdonjëri në ‘oborrin’ e partisë së vet, ku më të privilegjuar janë ata të partisë në pushtet”, ka thënë ai.
Pasi ka vizituar ngjarjen më të madhe të librit në Shqipëri, Mehmeti ka thënë se “Ne edhe kur shkruajmë e lexojmë shqip nuk ‘mendojmë’ në gjuhën amtare. Sepse, sikur të mendonim ‘shqip’, nuk do të ndodhte që nëpër ‘Shqipëritë’ tona çdo gjë, përpos krimit dhe mafisë, të funksionojë e copëzuar dhe e pakoordinuar si diçka mbarëshqiptare.