NGA NORBERT MAPPES-NIEDIEK
Kërkesat drejtuar Gjermanisë për dëmshpërblime nga koha e luftës po formulohen gjithnjë e më qartë. Grekët, polakët kanë bërë llogaritë, por kjo nuk është një temë për zgjidhje bardhë e zi
Sado që jenë të gabuara të jenë kërkesat polake për dëmshpërblime: Me refuzimin e tyre nuk zgjidhet problemi: Gjermania duhet të paguajë për shkatërrimin dhe vrasjet masive të Luftës së Dytë Botërore. Kërkesa vjen nga Varshava herë pas here, që nga rënia e komunizmit. Nga koha, kur qeveris partia e djathtë „Ligj dhe Drejtësi”,ajo dëgjohet më shpesh.
A duhet të ndezë ndjenjat antigjermane kërkesa për dëmshpërblime?
Ndërsa Berlini i hedh poshtë me të njëjtat argumenta kërkesat nga Varshava. Frank Walter Steinmeier që kur ishte ministër i Jashtëm e bëri të qartë, se çështja e dëmshpërblimeve të luftës është mbyllur nga ana juridike dhe politike në Gjermani. Po, nga ana juridike mund të jetë mbyllur kjo çështje, por politikisht aspak. Këtë e bëri të qartë edhe njëherë presidenti polak, Andrzej Duda në Berlin. Në asnjë analizë gjermane nuk harrohet të përmendet, se qeveria e djathtë konservatore çështjen e dëmshpërblimeve e përdor për të ndezur ndjenjat antigjermane, që ajo me dëshirë kërkon të largojë vëmendjen nga akuza se reforma polake në drejtësi shkel parimet europiane. Ky argument është i qëlluar, po i ikën thelbit të problemit.
Si në Poloni ashtu edhe në Gjermani tmerri dhe krimet e Luftës së Dytë Botërore janë më të përbuzshmet, por këndvështrimet për to janë të ndryshme. Në Gjermani dhe në vendet perëndimore interpretimit thjesht kombëtar që ishte tipik pas fundit të luftës, ia ka zëvën vendin një qëndrim më politik. Askush nuk përmend më një karakter gjerman kombëtar, kur flitet për nazistët dhe Holokaustin dhe shumë pak i kërkojnë rrënjët e së keqes tek historia prusiane dhe idealizmi gjerman.
Gjashtë milionë polakë të vdekur
Në Poloni ky zhvillim shkoi në kah të kundërt. Në kohën e komunizmit për “gjermanët” si kriminelë nazistë flitej pak, edhe për shkak të marrëdhënies me shtetin socialist vëlla RDGJ. Fajin e kishte më shumë „krahu më agresiv i kapitalit monopolist”. Një interpretim i rrezikshëm, që mund të përdorej kudo në botë pasi nuk njihte asnjë kombësi. Por sidomos në Poloni, regjimi pushtues gjerman kishte ngjyresë nacionale – Polakëve, „racës së ulët sllave”, sipas ligjërimit nazist u duhej vulosur kompleksi i inferioritetit, ata duhej të ishin thjesht një popull skllav, pa dinjitet, pa elitë të vetën, me arsim bazik, thjesht sepse ishin polakë. 6 milionë viktima nga 35 milionë vetë, një përqindje më e lartë, se në çdo vend tjetër të Europës.
Para këtij sfondi kaq emocional, nuk të habit që këto vite të tmerrshme perceptohen në Poloni vetëm në kategori kombëtare. Çdo lloj kritike, çdo akuzë, e sidomos çdo lloj kritike nga Gjermania në Poloni mban erën e nazizmit. Dhe së fundmi edhe në kthimin e në të kundërt të marrëdhënies viktimë-kriminel: Në Gjermaninë e sotme, kështu ndjehet këtu, tendencat autoritare dhe nacionalizmi virulent në Hungari e Poloni asociohet me kohën e nazizmit. E formuluar me ekzagjerim nga pikëpamja gjermane ishin antisemitistët ata që vranë hebrenjtë. Nga pikëpamja polake ishin gjermanët ata që i vranë hebrenjtë. Kush hap mbi tryezë faktet historike do t’u jepte të drejtë polakëve.
Ndërsa një konkluzion tjetër i jep të drejtë Berlinit: Në Bashkimin Europian kërkesa për dëmshpërblime nuk është më adekuate. Bashkësia europiane ishte që nga fillimi qëllimisht një aleancë ahistorike e fitimtarëve dhe humbësve të Luftës së Dytë Botërore, e viktimave dhe autorëve. Larjet e llogarive kombëtare do ta kishin shkatërruar menjëherë këtë bashkësi- krijesë të brishtë.
Francezëve pajtimi me agresorët gjermanë u dha të drejtë: Fundi i një armiqësie të vjetër është shpërblyer me stabilitet politik dhe prosperitet ekonomik. Polakëve u mungon kjo përvojë: ata kanë përvojën, që si fitimtarë moralë ata vuajtën nën pasojat e luftës edhe për disa dekada më pas, shumë më tepër se gjermanët, humbësit moralë.
Zgjerimi i BE ka një mision
Kërkesa për dëmshpërblime, megjithëse është e kuptueshme, të çon në rrugë të gabuar. Për Gjermaninë nuk mjafton ta refuzojë këtë kërkesë, e këtu nuk bëhet fjalë vetëm për tonin e përdorur. Nëse merren parasysh si model rezultatet e pajtimit gjermano-francez, duhet thënë se me zgjerimin në Lindje është e lidhur edhe një detyrë – afrimi i standarteve jetësore të anëtareve të rinj me mesataren e anëtarëve të vjetër te BE. Ky afrim standartesh ka ngecur prej vitesh.
Nëse vazhdohet kështu, zgjerimi mund të kthehet në problem. Kërkesa utopike për një dëmshpërblim në vlerë 690 miliardë euro, siç e ka ngritur raportuesi në Sejm, të shton dyshimin, se ajo nuk është menduar ashtu fjalë për fjalë. Pikërisht për këtë kërkohet një përgjigje e pastër morale dhe politike. Suksesi i Polonisë është një çështje e bashkësisë. Ky duhet të jetë mesazhi: Idetë për ndëshkimin e Polonisë apo vendeve të tjera europianolindore me mosdhënien e fondeve të BE apo ndëshkime të tjera financiare vetëm se do ta keqësonin situatën.
Norbert Mappes-Niediek jeton në Grac, në Austri dhe është korrespondent për Europën Juglindore i disa gazetave gjermane.
/DW/