Traktori i parë shqiptar, i njohur si produkt “Made in Albania” e ka fillimin e tij në vitin 1978, kur pas ngritjes së Kombinatit mekanik të Auto-traktorëve, nisi me prodhimin e pjesëve të para të këmbimit për motorët e automobilave dhe të traktorëve.
Traktori i parë shqiptar, tip DT-54, sipas modelit kinez të traktorëve me zinxhirë të asaj kohe zyrtarisht, është përuruar më 16 tetor 1978. Daton në 16 tetor, pikërisht në ditën e 70 vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës, dhe kjo është sanksionuar edhe në një pllakat të vendosur në ballinën e traktorit.
Për të paktën 10 vjet rresht ai ka qenë njeriu i dytë i një prej uzinave më të rëndësishme të industrisë mekanike shqiptare, siç ishte “Uzina e Traktorëve”.
Ndërsa i pari i kësaj uzine ishte Pilo Peristeri, ish-anëtar i Byrosë Politike të cilit Enver Hoxha i pat besuar drejtimin e këtij segmenti të industrisë së rëndë.
Maqo Bleta, ish-kryeinxhinieri i Kombinatit të Autotraktorëve, e më pas ish-zv/ministër i Industrisë, rrëfen se si u realizua projekti për prodhimin e traktorit të parë shqiptar, në përurimin e të cilit shkoi vetë kryeministri Mehmet Shehu i cili për punonjësit e Kombinatit bëri dhe një show duke manovruar me traktorin e prodhuar prej tyre.
Maqo Bleta thotë se vajtja në Kinë qe një shkollë e dytë për të.
“Në atë kohë tek ne ekzistonte një uzinë mekanike shumë pak e zhvilluar. Praktikën në Kinë, e bëra tek Uzina e Parë e Traktorëve, me rreth 250 mijë punëtorë, ku në çdo 50-60 sekonda prodhohej një traktor. Vetëm një repart instrumental kishte 35 mijë punëtorë. Atje u njoha me shumë gjëra: organizimin e projektimit të dokumentacionit teknologjik e arkivimin e tij, që tani quhet gjë e thjeshtë. Imagjino që një traktor kishte rreth 2500 detale dhe për t’i prodhuar ato nevojiteshin rreth 30 mijë lloje atrecatura teknologjike si instrumente prerës, ndihmës, matës, forma, konkilje, pajisje teknologjike, stampa të ftohta e të nxehta. Të gjitha këto duhet t’i gjeje në një arkiv teknik për disa sekonda. Atëherë duhej një sistem i tillë organizimi që të gjeje sa më shpejt dokumentacionin”.
Në vitin 1978 u arrit prodhimi i traktorit të parë shqiptar. Në Kombinat erdhën dy nga drejtuesit më të rëndësishëm të vendit, Hysni Kapo në linjën e partisë dhe Mehmet Shehu nga ekzekutivi. Maqo Bleta kujton.
“Kryeministri hipi në traktor dhe në vend që t’i fuste marshin e dytë, i futi atë në ‘rikuerc’. Mirëpo prapa ishin punëtorët që e kishin rrethuar nga entuziazmi. Fati që nuk u shtyp ndonjë. Pas kësaj kryeministri bëri ca prova. Prodhimi i traktorit, më tepër qe një simbol për t’i treguar botës se ç’ishte në gjendje të bënte Partia e Punës. Që ne çdo gjë e bëjmë me forcat tona”. /Tema/