India e ka shpalosur statujën më të lartë në botë, për të cilën u shpenzuan miliona euro. Megjithëse shumica e konsiderojnë si krenari, fermerët lokalë janë të mllefosur me vendimin e qeverisë për këtë shpenzim enorm, teksa ata nuk po arrijnë t’i përballojnë obligimet monetare.
Për shumë vite Vijendra Tadvi, një fermer 39-vjeçar nga shteti perëndimor i Gujarat, është duke pasur problem të gjejë ujë, për të ujitur tokën e tij prej 2.1 hektarësh, transmeton Telegrafi.
Ai mbjellë speca, drithë dhe arra të tokës. Sikur fermerët tjerë në Indi, ai bazohet në reshjet e mosuneve për të ujitur të mbjellat, apo nxjerr ujë prej puseve, që është metodë të cilën e përdorin 80 për qind e banorëve të pjesëve rurale.
Por, mungesa e të reshurave dhe thatësia e madhe, ka bërë që rendimentet të bien me të madhe dhe sikur fermerët tjerë, Tadvi nisi të ketë probleme ekonomike.
Andaj në vitin 2015, ai u punësua si shofer në një zonë ndërtimi, që t’i shtojë të ardhurat. Në të njëjtin vit, siç transmeton BBC, shteti i Gujaratit vendosi të ndërtojë një statujë të gjatë 182 metra, që do bëhej më e madhja në botë.
Figura nga bronzi, që do ngrihej për nder të liderit të pavarësisë indiane, Sardar Vallabhbhai Patel do të kushtonte 380 milionë euro. Gjysma e parave, do të paguhej prej shtetit.
“Në vend se t’i shpenzonin paratë në statujën gjigante, do ishte mirë të interesoheshin për fermerët e distriktit, që nuk i kanë as kushtet elementare për ujitje”, ka thënë Tadvi. Statuja tashmë është ndërtuar dhe ai ende mund të gjejë punë si shofer, pasi që bujqësia më nuk po i sjellë të ardhura. Mirëpo, sikur edhe fermerët tjerë, vazhdon të jetë i mllefosur me qeverinë, për vendosjen e ndërtimit të kësaj statuje.
“Statuja e Unitetit” është në qendër të memorialit, që është ngritur për nderë të Patel. Lideri i pamposhtur nacionalist, që kishte lindur në Gujarat dhe u bë i pari Ministër i Brendshëm dhe Zëvendëskryeministër i Indisë së pavarur. Plani për memorialin e Petel, përfshin edhe hotel me tri yje, muze dhe qendër hulumtime që do fokusohej në subjektet në “afërsi të zemrës së tij” si “qeverisja e mirë” dhe “zhvillimi i agrikulturës”.
Kjo është ndërtuar dhjetë kilometra larg fshatit Nana Pipaliya, ku fermeri Tadvi jeton bashkë me banorë të tjerë në varfëri të konsiderueshme. Shumica e shtëpive janë në varfëri, banorët ushqehen keq, teksa niveli i shkollimit vetëm po vazhdon të bie.
Mirëpo, qeveria konsideron se ky memorial do të risë turizmin, duke pritur që zona të vizitohet prej 2.5 milionë vizitorëve në vit, që do rriste në masë të madhe të ardhurat ekonomike. Kjo pritet ta rritë numrin e mundësive për punë, ngritjen e numrit të vizitorëve dhe në përgjithësi të përmirësojë mënyrën e jetës në atë regjion. /Telegrafi/