Pas angazhimit sensibilizues të AKEP në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi për raportimin dhe rinovimin e informacionit të dhënë gjatë regjistrimit të emrave të domaineve përfshirë publikimin e tyre, AKEP informon median dhe publikun se të gjithë poseduesit, dhe/ose administruesit e domaineve kanë reaguar pozitivisht me përjashtim të ndonjë domaini të pa identifikueshëm.
Pas këtij hapi të parë formalizues, AKEP po përgatit fillimin e procedurës administrative të pezullimit, bllokimit apo mbylljes për domainet .al apo nëndomainet e tij të cilat nuk janë vetë-identifikuar.
AKEP në përputhje me përcaktimet e parashikuara në Rregulloren nr. 2/2008(e ndryshuar) “Për administrimin e domaineve .al dhe nëndomaineve .com.al, .org.al .net.al .edu.al .gov.al dhe mil.al”., siguron se do të jetë garant i ligjshmërisë në këtë fushë për të arritur standardet Evropiane të transparencës dhe se në vazhdimësi do të ndjekë me kujdes e seriozitet vijimin e proceseve të rinovimit të informacioneve të detyrueshme për tu publikuar, pasi mos-përditësimi i tyre çon në procedurat e pezullimit, bllokimit apo mbylljes së emrave të domaineve.
Duke falënderuar të gjithë përdoruesit dhe poseduesit e domaineve për reagimin pozitiv në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe rregullatore, AKEP mbetet i hapur për të bashkëpunuar me të gjithë institucionet, entet publike dhe strukturat e tjera të ngarkuara nga ligje të veçanta që ky proces të konkludohet me eficensë sa më të plotë dhe ti shërbejë sa më gjerë interesit publik.
Për më shumë informacion për poseduesit dhe përdoruesit e domaineve .al, lutemi komunikoni nëpërmjet adresës së e-mail [email protected] ose pranë Regjistruesit ku keni regjistruar domainin ose nëndomainin .al /PCWorld Albanian