Është zbuluar emri i këngëtares me famë botërore që mund të performojë në hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë. Por ajo nuk është amerikane e as angleze siç kishte njoftuar ditë më parë kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri.
Një koncert i madh pritet të organizohet për hapjen e urës në Mitrovicë.
Klan Kosova raporton se këngëtarja e cila pritet të performojë atë ditë në të cilën do të bëhet hapja zyrtare e Urës së Ibrit, është Shakira, emër i njohur ky në botën e showbizit dhe më gjerë.
Nga zyra e Ministrisë së Punëve të Jashtme të udhëhequr nga Pacolli, është thënë se ”ende nuk ka diçka konkrete, veçse ajo është propozuar si ide e mundshme”.
Lajmin se një këngëtare e famshme do të ftohet të këndojë e dha ditë më parë kryetari i komunës së Mitrovicës së jugut Agim Bahtiri.
Shakira është e lindur në Kolumbi, shtet në bregun veriperëndimor të Amerikës së Jugut.
Lajmin se ura do të hapet me koncert, e dha sot zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli nëpërmjet Facebookut.
Për koncertin ditë më parë BE e cila ka financuar revitalizimin tha se nuk kishte njohuri.
Hapja e Urës së Ibrit tash e sa vjet është bërë temë e nxehtë e krejt politike. Kryetarët e dy pjesëve të qytetit, njëri shqiptar e tjetri serb, assesi të pajtohen për lirimin e qarkullimit normal mbi të të njerëzve dhe makinave.
Serbët lokal kërkojnë nënshkrimin e memorandumit për kufirin administrativ.
Komuna e Mitrovicës e cila administrativisht është e ndarë në jug dhe në veri nuk e ka të përcaktuar vijën administrative. Kjo sipas serbëve duhet të jetë lumi Ibër ndërkaq pala tjetër kundërshton kategorikisht.
Me firmosjen e ujdisë, vendbanime si Suhodolli, Gushanci e Binarci të barnuar më shumicë shqiptare do të shkonin nën administrimin e komunës në veri. Kjo e fundit është produkt e pakos së Marti Ahtisarit mbi të cilën Kosova shpalli pavarësinë.