Përmbajtja ishte kryefjala e Konferencës së Marketingut Dixhital AllWeb Albania

E publikuar: 13/10/2018 05:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përmbajtja ishte kryefjala e Konferencës së Marketingut Dixhital AllWeb Albania. 11 folës dhe të ftuarit në panel shpalosën para audiencës prej mbi 250 sipërmarrësish dhe ekspertë në fushën e marketingut, sekretet për të siguruar shitje të suksesshme përmes marketingut dixhital.


Evolucioni është i pashmangshëm. Ai ka përshpejtuar ritmin, ndaj edhe kompanive, drejtuesve në departamentet e marketingut u duhet të përshpejtojnë hapin për të qenë konkurrentë në treg.

Krahas “çelësit” për të qenë më të dukshëm online dhe më tërheqës për klientin, pothuajse të gjithë folësit vunë theksin tek përmbatja cilësore e informacionit. Në mënyrë më specifike e shpjegoi këtë folësja Barbara Slade Jagodic.


Sipas saj, për të pasur një pozicion të mirë gjatë kërkimit në Google, duhet një punë disa mujore, jo më pak se 6 muaj. Krahas promovimeve, apo fjalëve kyçe, një SEO cilësore, etj., duhet edhe përmbatje cilësore në websitet e kompanive.

Çfarë nënkupton përmbajtja cilësore?!

Barbara këshillon, që klientëve t’u shitet jo vetëm produkt por edhe njohuri. Pra, klientët të furnizohen me informacion rreth faktit se si mund ta përdorin produktin më mirë, çfarë vlerash shtesë ka, etj.

Valer Pinderi, themeluesi i Dyqan Taxi, kompania që u ble këtë vit nga grupi Balfin, tha se shitjet online ende të ulëta sipas tij, janë për shkak të marketingut të pazhvilluar siç duhet nga kompanitë. Ai tregon se kur në website nisi të ketë më shumë informacione rreth produktit, vlerave të tij, shitjet u rritën.

Për t’u rikthyer sërisht tek përmbatja. Barbara jep dy këshilla për marketerët: Artikuj të gjatë dhe artikuj me pika.

Nëse jeni një agjenci udhëtimi, ju nuk duhet të flisni vetëm për destinacionet dhe çmimet e biletave që keni në dispozicion. Një artikull rreth bukurive të atij destinacioni, historisë, apo pse klientët tuaj duhet ta vizitojnë atë, do të rriste shitjen e biletave.

Shumë të preferuara po shfaqen edhe renditjet. Top 10 destinacionet më të mira për vjeshtë, apo “5 librat më të mirë në fushën e menaxhimit”.

Një këshillë që mund të vlejë për të gjithë: mos kopjoni informacione. Kjo nuk e rrit interesin për kompaninë apo produktin tuaj, përkundrazi. /PCWorld Albanian