Kryetari i Lëvizjës për Bashkim, Valon Murati përmes një postimi në Facebook ka reaguar pas vdekjes së puntorit në vendin e punës në Prishtinë, njofton Klan Kosova.
Sipas tij pasiguria në punë për puntorët është bërë shumë shqetësuese.
“Pasiguria në punë për punëtorët është bërë më shumë se shqetësuese, sidomos në sektorin e ndërtimtarisë. Vdekja e sotme e 45 vjeçarit dëshmon për këtë gjendje”, ka shkruar Murati.
I pari i Lëvizjës për Bashkim pati kritika edhe për reagimin jo adekuat të institucioneve.
“Njësoj shqetësuese është reagimi jo adekuat i institucioneve të shtetit në zbatimin e ligjeve që garantojnë sigurinë në punë të punëtorëve. Sidomos kur ta kemi parasysh numrin shqetësues të vdekjeve në punë këtë vit. Sundimi i ligjit është jetik për një shoqëri. Duhet bërë presion i gjithmbarshëm shoqëror mbi institucionet tona në zbatimin e ligjeve në të gjitha fushat, në këtë rast të atyre që kanë të bëjnë me sigurinë në punë”. ka shkruar më tej ai.
Në fund, Murati i ka shprehur ngushëllime familjes së puntorit i cili sot humbi jetën në vendin e tij të punës.

















