Rakip Avdyli, i akuzuar se përhapi në rrjetet sociale materiale në përkrahje të ISIS-it, pas pranimit të fajësisë për shtytje në vepra terroriste shprehu keqardhje dhe pendesë për veprën e kryer.
“Pendohem dhe shpreh keqardhje për rastin e ndodhur”, tha Rakip Avdyli para gjykatës.Ai edhe më parë ishte i dënuar me 10 muaj burg për të njëjtën vepër penale, për shkak se nëpërmjet rrjeteve sociale bëri thirrje për ‘xhihad’ në Kosovë.Ndërsa dënimin ndaj tij nga 10 muaj në 18, e kishte rritur Gjykata e Apelit.Pendesë shprehu edhe Kreshnik Podvorica, i akuzuari tjetër në ketë proces për moslajmërim të veprës penale dhe kryesit të saj.“Jam penduar dhe i premtoj gjykatës që në të ardhmen nuk do të përsëris më veprën penale”, tha i akuzuari Podvorica.Edhe Podvorica ishte dënuar më parë për vepra terroriste. Gjykata Themelore në Prishtinë në janar të këtij viti e dënoi atë me 6 muaj burg për propagandim në Facebook pasi që kishte përkrahur haptazi veprimet terroriste të “ISIS”-it.Podvorica më 4 nëntor 2017 në llogarinë e tij në “Facebook” kishte shpërndarë fotografi kërcënuese në të cilën është paraqitur një gomë e një automjeti të lyer me gjak në të cilën janë lënë gjurmët e përgjakshme me fjalët “Nisu drejt tyre pa mëshirë”.Në fjalën përfundimtare prokurorja speciale, Fikrije Fejzullahu kërkoi nga Gjykata që të akuzuarit t`i shpallë fajtorë dhe me rastin e matjes së dënimit të ketë parasysh rrethanat e parapara për matjen e dënimit e posaçërisht rrethanën së të njëjtit kanë qenë edhe më parë të dënuar për vepra penale të kësaj natyre.Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Rakip Avydyli, avokati Sefer Morina, kërkoi nga Gjykata që të mbrojturit të tij t`i shqiptojë dënim nën minimumin e paraparë ligjorë.“I mbrojturi im e ka pranuar fajësinë, kërkoj nga Gjykata që të ketë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese të cilat ekzistojnë si pranimin e fajësisë, moshën e re të tij, qëndrimin dhe sjelljen korrekte në Gjykatë, bashkëpunimin me organet në të gjitha fazat e procedurës, pendimin e thellë dhe keqardhjen e shprehur për veprimet e tija, dhe të njëjtit me këtë rast t`i shqiptojë dënim nën minimumin e paraparë ligjor”, tha Avokati.Dënim me të butë kërkoi edhe mbrojtësja e të akuzuarit Kreshnik Podvorica, avokatja Sabrije Krasniqi.“I mbrojturi im e ka pranuar fajësinë në të gjitha fazat e procedurës penale, e poashtu edhe pranë policisë, kërkoj nga Gjykata që t`i marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe ndaj të mbrojturit tim të shqiptojë dënim nën minimumin e paraparë ligjor”, tha avokatja.Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e akuzon Rakip Avdylin së më qëllim që të shtyjë në kryejnë e aktit terrorist ka postuar video-incizime, fotografi duke e shprehur haptazi përkrahjen dhe simpatinë ndaj organizatës terroriste “ISIS”, si dhe komente të tjera me qëllim që të shtysë kryerjen e aktit terrorist, duke shkaktuar rrezik që vepra të tilla edhe të kryhen.Ndërsa Kreshnik Podvorica, akuzohet se nuk e ka lajmëruar veprën penale dhe kryesin e saj, kur i pandehuri Rakip Avdyli ka kërkuar nga ai që të kryej një sulm vetëvrasës në Republikën e Kosovës.Gjithnjë sipas aktakuzës, Rakip Avdyli citohet t`i ketë thëne se i duheshin të holla për financim dhe disa vëllezër myslimanë për të organizuar një sulm vetëvrasës, kundër shtetit dhe qeverisë./kallxo.com


















