Veseli: Do ta përkrahja vizitën e Thaçit në Ujman sikur të ishte në ditë tjetër nga protesta

E publikuar: 01/10/2018 23:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se do të përkrahte vizitën e presidentit Hashim Thaçi në Ujman sikur ajo të mos mbahej në të njëjtën ditë me protestën në Prishtinë kundër idesë për ndryshim kufijsh me Serbinë.

Në një deklaratë për televizionin publik, Veseli ka kritikuar edhe liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, të cilin e ka quajtur manipulues populist.

“Do ta kisha përkrahur me qefin më të madh vizitën në Ujman, sikurse të ishte në një ditë tjetër. Nëse provokon një Albin Kurt, kjo nuk do të thotë se duhet të bimë pre e provokimit të tij, të një manipuluesi sikurse është Albin Kurti”, ka deklaruar Veseli. “Bëj të qartë se Kosova është një dhe nuk do të ndahet asnjëherë me një perspektivë euro-atlantike”, ka shtuar më tej Veseli. “Albin Kurti çdo herë ka qenë sipërfaqësor dhe manipulues populist. Atij nuk i bënë përshtypje qëndrimet e tij që i ka ndryshuar vazhdimisht…”

Duke folur për protestën e së shtunës, ai tha se protesta është një e drejt legjitime e qytetarëve, por që deklaroi se ajo protestë nuk arriti që të përçojë mesazhin të cilin duhet ta përçonte.

“Mesazhet do të duhej të dërgoheshin ndaj faktorit politik serb në veri të Kosovës, por organizatorët u fokusuan në rritjen e ndasive të brendshme që ishte një gabim”, ka shtuar ai.

Veseli tha se një pjesë e opozitës ka zgjedhur rrugën më të paduhur në mënyrë që të përfitojë përmes manipulimit politik.

I pari i PDK-së ka thënë se tash për tash s’janë prioritet zgjedhjet e parakohshme, ndërsa sa i përket liberalizimit të vizave ka thënë se është e domosdoshme që ajo të bëhet sivjet.