Thaçi: Në muajin në vijim Kuvendi të miratojë tri ligjet për ushtrinë

E publikuar: 29/09/2018 16:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një adresim publik para oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë se procesi i transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës tanimë definitivisht ka hyrë në fazën e fundit dhe kjo nënkupton që në muajin në vijim Kuvendi i Kosovës të miratojë tri ligjet për ushtrinë.

Ai i njoftoi pjesëtarët e FSK-së, për vizitën në Bërnjak dhe Ujman, por edhe për vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku tha se patën rastin t’i njoftojnë bashkëbiseduesit për të arriturat e shtetit të Kosovës por edhe të ndajnë vizionin për të ardhmen e saj, raporton KP.

Kurse lidhur me procesin e themelimit të ushtrisë, Thaçi tha se ka besim që së shpejti do të formohet ushtria e Kosovës.

“Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës tanimë definitivisht ka hyrë në fazën e fundit dhe kjo nënkupton që në muajin në vijim Kuvendi i Kosovës të miratojë tri ligjet për ushtrinë. Si komandant suprem i FSK-së sot, si dhe i Forcave të Armatosura të Kosovës së shpejti, e them me bindje të plotë që kjo forcë është dhe do të mbetet krenaria jonë! Forcat e Armatosura të Kosovës do të kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë por edhe më gjerë. Do të jetë ushtri multi-etnike, në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës, në çdo pjesë të Kosovës. Hapi kryesor edhe këtu është bashkimi i të gjithëve rreth këtij synimi. Vonesa kryesore për themelimin e ushtrisë së Kosovës deri tani ka ardhur nga mungesa e unitetit të klasës politike rreth këtij vendimi. Prandaj, të bëhemi bashkë dhe të kalojmë në Kuvendin e Kosovës ligjet që i hapin rrugë themelimit të ushtrisë dhe afrimit të Kosovës me NATO-n deri në anëtarësim të plotë”, ka thënë ai.

Ai tha se kanë marrë përkrahje për rrugën euroatlantike. Ndërsa, kur foli për qëllimet afatshkurtër, tha se synojnë anëtarësimin në INTERPOL dhe liberalizimin e vizave, ku janë përmbushur të gjitha kriteret.

“Askush në Kosovë nuk ka të drejtë të rrezikojë liberalizimin e vizave për Kosovë për asnjë interes por as të cenojë asnjë interes të qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Ai u tha eprorëve të FSK-së se dëshiron t’i njoftojë edhe për procesin e dialogut përfundimtar me Serbinë, ku tha se me Serbinë kemi konflikt të ngrirë por nuk do të ketë shkëmbim territorësh.

“Unë kam propozuar opsionin e korrigjimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kam argumentuar se marrëveshja eventuale e korrigjimit paqësor të kufirit me Serbinë, Kosovës i siguron njohjen nga Serbia dhe ulësen në Kombet e Bashkuara. Çfarë është edhe më e rëndësishme, kjo hap mundësi edhe për bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me vendin tonë. Pra, është mundësi për të mbyllur një herë e përgjithmonë çdo kontest që kemi të hapur me Serbinë, dhe të hapin rrugë për normalizim të mirëfilltë të marrëdhënieve tona. Dyshuesit në marrëveshjen ligjërisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë, me lehtësi po përhapin frikë për gjoja destabilizim të rajonit dhe thellim të ndarjes etnike në Ballkan. Po krijojnë panik dhe mjegull, duke i trilluar të njëjtat argumente, njësoj sikurse në prag të shpalljes së pavarësisë”, ka thënë ai.

Thaçi edhe sa i përket dialogut me Serbinë, u bëri thirrje të gjithëve që të bëhen bashkë, që shikojnë përtej interesave personalë, partiakë, elektoralë, interesave të ditës, dhe të punojmë për Kosovën.

“Të jemi unikë në kërkesën tonë dhe në synimin tonë. Të bëhemi bashkë të sqarojmë se çfarë dëshirojmë të arrijmë, çfarë dëshirojmë të fitojmë, por edhe çfarë jemi gati të paguajmë për të arritur këtë qëllim. Sinqerisht, kam pritur që si në Kuvendin e Kosovës, si në hapësirën e përgjithshme publike, të dëgjoj argumente e kundër-argumente racionale. Për fat të keq, më shumë kam dëgjuar zhurmë dhe në rastin më të keq edhe urrejtje. Kosova është vend shumë i vogël për të prodhuar kaq urrejtje, e cila e ndan shoqërinë tonë. Kryefjala ime sot ishte fjala bashkim. Të bëhemi bashkë për Kosovën, për të mirën e Kosovën, për të mirën e çdo qytetari tonë”, ka thënë Thaçi.

Thaçi në fund tha se nuk do të ketë as cenim të interesave strategjike të Kosovës, më saktësisht, nuk do të preket Liqeni i Ujmanit, nuk do të preket Trepça, nuk do të preket tërësia e qytetit të Mitrovicës.