Abdixhiku: Veprimet e Pacollit janë përulje e inferioritet, ktheni të paditurit në Kosovë

E publikuar: 27/09/2018 21:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar për veprimet e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli në SHBA e ndaj deklaratave të tij.

Pacolli kishte deklaruar se, “me serbët s’kemi pasur probleme kurrë”, transmeton Koha.net.

Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ia ka përmendur krimet që Serbia ka bërë në Kosovë. Ndërsa thotë se deklarimet e veprimet e tilla janë përulje e inferioritet.

Ky është postimi i Abdixhikut:

Çfarë trishtimi:

– 13,000 të vrarë;

– 1,700 të zhdukur;

– 200 varreza masive;

– 20,000 gra të dhunuara;

– 1 milionë qytetarë të dëbuar;

– 20 miliardë dëme ekonomike;

Dhe 1 ministër i jashtëm Kosove që me mburrje thotë se “me serbët s’kemi pasur probleme kurrë”. Kjo s’është më veçse naivitet. Është përulje; është inferioritet. Është dëm nacional. Është krejt e kundërta që një diplomat duhet të bëjë. Pa fjalë. Ktheni këta të paditur prapa në Kosovë se na morën në qafë nëpër botë. Së paku naivitetin e tyre e mbajmë veç këtu.