Thaçi thotë se në Nju Jork ka marrë mbështetje për dialogun Kosovë – Serbi

E publikuar: 27/09/2018 20:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të sesionit vjetor të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara të OKB-së, ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Më tutje bëhet e ditur se Thaçi dhe Mogherini kanë diskutuar për fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi thotë se ka rikonfirmuar edhe njëherë gatishmërinë e palës kosovare për dialogun dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare ligjërisht obligative.

“Pas anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, si dhe marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë, është krijuar një momentum historik për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, që do të zgjidhte njëherë e përgjithmonë mosmarrëveshjet dhe do të krijonte perspektivë të qartë të anëtarësimit në BE”, ka thënë ai.

Kreu i shtetit thotë se këto ditë nga takimet e shumta që ka zhvilluar me përfaqësues shtetesh në Nju Jork, ka marrë mbështetjen e plotë për arritjen e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si parakusht për një paqe të qëndrueshme në Ballkan.

“Nga ana tjetër Federica Mogherini ka paralajmëruar dinamizimin e dialogut, dhe ka ofruar mbështetjen e saj dhe të BE-së në lehtësimin e këtij procesi jo të lehtë, por të domosdoshëm për hapjen e perspektivës për të dyja vendet në BE”, thuhet në komunikatë.

Presidenti ka vazhduar takimet e shumta me krerët botërorë, të cilët po marrin pjesë në Sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.